Në Shqipëri fillon stërvitja ushtarake “Joint Effort-16”

Ka filluar sot në Shqipëri stërvitja ushtarake “Joint Effort-16”, e cila do të zhvillohet nga datat 19-29 shtator 2016 në disa zona të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

I pranishëm në ceremoninë e filmimit të stërvitjes ishte zëvendësministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, gjeneralmajor Jeronim Bazo, atashetë ushtarakë të vendeve pjesëmarrëse në stërvitje, etj.

Në fjalën e tij, Koçi, u shpreh se “Sot bashkarisht nisim stërvitjen ‘Joint Effort-16’, evenimentin më të rëndësishëm stërvitor të Forcave të Armatosura. Kjo stërvitje zhvillohet në kuadër të zbatimeve të detyrimeve të planit të aktiviteteve kryesore të FA për vitin 2016. Ky është një bashkëpunim konkret me përfitim të përbashkët midis vendeve pjesëmarrëse.”

Sipas tij, planifikimi dhe ekzekutimi i stërvitjes së përbashkët rrit njohuritë, mësimet dhe kompetencën e njësive dhe drejtuesve pjesëmarrës, sidomos në nivel taktik aplikimi i doktrinës dhe procedurave NATO në të gjitha fazat e stërvitjes.

Stërvitja e përbashkët e koduar “Joint Effort-16” do të zhvillohet në rajonet: Garnizoni “Skënderbej”, Zallherr-Bizë, Kepi i Palit, Vau i Dejës, Poshnjë, Rinas dhe Kuçovë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes kjo stërvitje është një ndër stërvitjet e përbashkëta më të mëdha që Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë zhvilluar me NATO-n në 10 vitet e fundit.

Në këtë stërvitje marrin pjesë 1500 trupa nga Shtabin i Përgjithshëm, Forca Tokësore, Forca Ajrore, Forca Detare, Komanda Mbështetëse dhe Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe trupa dhe mjete ushtarake të Forcave të Armatosura nga SHBA, Britania e Madhe, Italia, Kosova dhe Mali i Zi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button