Meta: Kanabisi s’është e ardhmja e Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi dje, se politika shqiptare, por edhe partnerët ndërkombëtarë që asistojnë Shqipërinë, duhet të marrin një vendim se cila do të jetë sjellja ndaj problemit të kanabisit në të ardhmen. Gjatë një prononcimi për gazetarët, nga qyteti i Korçës, Meta, i pyetur nëse ka dështuar policia në kontrollin e këtij aktiviteti të paligjshëm i cili po shqetëson edhe ndërkombëtarët sipas ambasadorit britanik, u shpreh: “E ardhmja e zhvillimit të Shqipërisë është bujqësia e turizmi, dhe natyrisht që nuk është zhvillimi i kanabisit, dhe për këtë çështje politika duhet të marrë një vendim”.

“Pa asnjë diskutim nuk duhet t’i shmanget, jo vetëm politika, por edhe partnerët ndërkombëtarë të cilët janë të interesuar për të ardhmen e Shqipërisë si një vend evropian, si një vend që bazohet te shteti ligjor, dhe në këtë drejtim është mjaft e rëndësishme që të vendoset në mënyrë të përgjegjshme, transparente se si do të sillemi në të ardhmen me këtë fenomen”, – u shpreh kreu i Kuvendit, i pyetur pas ngjarjes së rrëzimit të avionit që drejtohej nga italiani Guido Andrea Guidi.

I pyetur edhe për 6 ligjet e reformës në drejtësi, Meta u shpreh më tej: “Unë besoj se është plotësisht e mundur që ne të vazhdojmë të punojmë në mënyrë konstruktive për të çuar përpara zbatimin e reformës në drejtësi, edhe në respekt të konsensusit historik që arritëm në 21-22 korrik”. Sa i përket lakimit të emrit të tij si një kandidat i fortë për president në 2017-ën, nga disa deputetë socialistë, Meta tha: “Nuk kam asnjë koment për gara të pashpallura. E vetmja garë ku unë marr pjesë është ajo për kryetarin e LSI-së, dhe kam kënaqësinë që këtë garë, që e konsideroj si një sfidë për përmirësimin e mëtejshëm të LSI-së, ta nis nga Korça dhe nga Pogradeci”.

Takimi me strukturat
Kryetari i LSI-së u takua dje me strukturat e partisë që drejton në Korçë e Pogradec, për të folur për zgjedhjet për kryetarin e ri të partisë më 6 nëntor. Gjatë bashkëbisedimit me ta, z. Ilir Meta e cilësoi të rëndësishme garën për të ardhmen e LSI-së, por edhe si një demonstrim i përgjegjshmërisë për të ardhmen e vendit. “Besoj që kemi të bëjmë me një garë të rëndësishme, sepse kjo është gara për të ardhmen, nuk është thjesht gara për kryetarin. Pra është gara për të ardhmen e LSI-së, e cila njëkohësisht është një demonstrim i përgjegjshmërisë për të ardhmen e vendit. E ardhmja e LSI-së është shumë e rëndësishme që të reflektojmë, mbi të gjitha, arritjet që LSI-ja ka deri më sot, por njëkohësisht edhe t’u përgjigjet sfidave të mëdha që kërkon drejtimi dhe menaxhimi i një force politike që sot është shumë herë më e madhe sesa vite më parë”, – tha z. Meta, duke shtuar se LSI-ja është një forcë politike drejt së cilës çdo ditë vijnë të rinj, të reja dhe qytetarë për t’u përfshirë, për t’u dëgjuar, për t’u anëtarësuar, për të dhënë kontributin e tyre. Meta u shpreh se momenti i zgjedhjeve në LSI në këta 2-3 muaj është i rëndësishëm edhe për të rishikuar të gjithë organizimin, veprimtarinë, për të parë edhe programin politik, dhe për të reflektuar edhe për shumë sfida me të cilat është ndeshur qeverisja dhe me shumë shqetësime të qytetarëve.

Kryetari i LSI-së vlerësoi rolin që kjo forcë ka dhënë në stabilitetin e vendit. Duke u ndalur te reforma në drejtësi, z. Meta tha se kjo nismë është reforma më e rëndësishme dhe më e madhe, e cila duhet të kthehet në një shpresë të madhe për të gjithë qytetarët në vendin tonë që Shqipëria do të jetë një shtet më i drejtë, më i besueshëm, më garantues për liritë dhe të drejtat e tyre, dhe njëkohësisht një shtet shumë më efektiv në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe kundër shumë fenomeneve të tjera. “Të privilegjuarit nuk kanë nevojë për LSI-në dhe LSI-ja nuk mund të kthehet kurrë në një strehë për të privilegjuarit. LSI-ja ka për detyrë dhe ka për mision t’i shërbejë interesit të gjerë publik dhe të përfshijë të gjithë ata të cilët duan një Shqipëri pozitive, një Shqipëri që u jep qetësi, që u jep të ardhme, por natyrisht që u jep edhe punë dhe siguri”, – u shpreh Meta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button