De Biasi: Kosova më pëlqeu, meritoi më shumë

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni de Biasi, ka vlerësuar se Kosova ka merituar më shumë se një pikë që mori në ndeshjen eliminatore ndaj Finlandës më 5 shtator, shkruan sot Koha Ditore.

De Biasi në një intervistë dhënë “Ora News”, të enjten, ka thënë se Kosova e ka nisur me këmbë të mbarë rrugën për kualifikim në kampionatin botëror “Rusia 2018”. Kosova në ndeshjen e parë kualifikuese për botërorin 2018 në Turku të Finlandës barazoi 1:1. De Biasit i ka pëlqyer mënyra se si ka luajtur Përfaqësuesja e Kosovës kundër një skuadre me më shumë përvojë.

“E pashë një pjesë të mirë të ndeshjes së parë të saj me Finlandën. Ka bërë një ndeshje të mirë dhe jam i kënaqur për të për faktin që si një skuadër e re, në një debutim të tillë, nisi me këmbë të mbarë. Meritonte diçka më shumë nga rezultati, sidoqoftë një nisje e mirë, e bukur”, ka thënë De Biasi.
De Biasi ka thënë se Kosova e ka grupin më të vështirë se Shqipëria. Ai në humor i tha gazetarit që të t’ia publikojë të gjitha që i thotë, përfshirë edhe lavdet për Kosovën.

“Kosovës i ka rënë që të jetë në një grup realisht shumë të fortë. ‘Pak’ më i vështirë se grupi ynë. Luan kundër Kroacisë, Ukrainës, Turqisë. Mos ma fshij në montazh këtë që po e them”, tha buzagaz De Biasi.

Kosova është në Grupin I së bashku me Kroacinë, Turqinë, Ukrainën, Finlandën dhe Islandën, derisa Shqipëria është në Grupin G së bashku me Spanjën, Italinë, Maqedoninë, Izraelin dhe Lihtenshteinin. Ndryshe, Kosova ka në grup katër rivalë që morën pjesë në Evropianin e fundit, kurse Shqipëria vetëm dy.
De Biasi ka folur edhe për Kombëtaren e Shqipërisë. Ka thënë se e presin ndeshje të vështira në vazhdim. Pohoi se edhe kundër Maqedonisë ishte një ndeshje mjaft e vështirë.

“Kam thënë edhe më herët se kualifikimi për në botëror kalon përmes Maqedonisë, Lihtenshteinit apo edhe Izraelit. Kundër Spanjës, apo kundër Italisë do të kemi shumë më pak probleme nga një pikë e tillë këndvështrimi. Duam të bëjmë diçka pozitive dhe duhet të mundim këto skuadra që citova më lart, Izraelin, që nuk është e thjeshtë, apo edhe Lihtensheinin ose Maqedoninë, sikundër bëmë. Ishin tri pikë të rëndësishme, sepse nisesh me këmbë të mbarë në ndeshjen e parë. Por, prej këtu për të menduar shumë gjëra të tjera duhen luajtur edhe nëntë ndeshje të tjera dhe 13 muaj të tjerë për të mbyllur eliminatoret”, ka thënë De Biasi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button