Velanoski takon në Strasburg kryeparlamentarin grek Nikos Voutsis

Kryetari i Kuvendi të Republikës së Maqedonisë, Trajko Velanoski, sot në kuadër të Konferencës evropiane të kryetarëve të parlamenteve, që mbahet në Strasburg, zhvilloi takim bilateral me kryetarin e Parlamentit të Republikës së Greqisë, Nikos Voutsis, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e Kuvendit të Maqedonisë thuhet se në fillim të takimit, të dy bashkëfolësit shprehën kënaqësi të madhe nga mundësia që të takohen dhe të bisedojnë për sfidat aktuale me të cilat përballen të dy vendet fqinje.

Ata u pajtuan se takimet e tilla janë shembull pozitiv dhe janë me rëndësi të veçantë për thellimin e ardhshëm të bashkëpunimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme mes dy shteteve në të gjitha fushat.

Në këtë drejtim Velanoski potencoi se Maqedonia me përkushtim vazhdon t’i kultivojë marrëdhëniet me Greqinë, duke përkujtuar në faktin se të dyja vendet kultivojnë vlera të njëjta, kanë traditë të njëjtë, kulturë të njëjtë dhe besim të njëjtë, gjegjësisht kanë shumë hipoteza për të qenë miq dhe fqinj të afërt.

Kryeparlamentari Velanoski potencoi se integrimi euroatlantik i Maqedonisë është prioritet i ynë dhe theksoi se është e mirëseardhur ndihma e Greqisë që mund të japë në këtë drejtim.

Nga ana tjetër kryeparlamentari grek Voutsis theksoi se të dy vendet duhet të marrin shembull pajtimin e Francës dhe Gjermanisë, i cili tregoi se me bashkëpunim të përbashkët dhe qëllime të sinqerta, mund të tejkalohen të gjitha pengesat për një të ardhme të sukseshme të përbashkët mes shteteve për të mirën e qytetarëve të tyre.

Ai theksoi se si kryetar i Parlamentit, ndërsa paraprakisht edhe si anëtar i pushtetit ekzekutiv, gjithmonë është i përkushtuar në përmirësimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të përgjithshme, dhe se Qeveria greke në bashkëpunim me ministritë tona, përmes projekteve të ndryshme, punon në ndërtimin e besimit mes dy vendeve dhe në mënyrë aktive është e kyçur në përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve për bashkëpunim të ardhshëm pozitiv.

Lidhur me kontestin i cili gjatë kohë është pengesë në marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Greqisë, Voutsis tha se i njëjti duhet të zgjidhet në nivel ndërkombëtar, me ndihmë të ndërmjetësimit ndërkombëtar, që tashmë është vendosur, dhe potencoi se shpreson në zgjidhje sa më të shpejtë të cilën do ta pranojnë të dyja palët.

Ndërkohë, sipas Voutsis, duhet shikuar pasqyra e madhe dhe të punohet në thellimin e bashkëpunimit ekzistues në fushat për të cilat ka interes të përbashkët. Voutsis tha se Bashkimi Evropian, gjegjësisht disa nga anëtaret e mëdha, kanë qëndrim se Ballkani si tërësi duhet të jetë i margjinalizuar dhe të mos jetë në nivel të njëjtë ekonomik me pjesën tjetër të Unionit.

Prej këtu vjen edhe qëndrimi i BE-së ndaj Greqisë. Andaj Greqia dëshiron integrimin sa më të shpejtë të të gjitha vendeve të Ballkanit që nuk janë anëtare të BE-së. Kjo do të forconte rajonin në tërësi, ndërsa do ta përmirësonte edhe pozitën e Greqisë, thuhet në njoftim.

Në fund të takimit bashkëfolësit konfirmuan se takimi i sotëm është fillimi i një bashkëpunimi më të thellë në nivel parlamentar, i cili duhet të paraqet edhe nxitje për thellimin e marrëdhënieve të përgjithshme mes Maqedonisë dhe Greqisë në të gjitha nivelet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button