Ky është i biri i ish pjesëtarit të UÇK-së që i tha “PO” Kosovës

Pas shumë largimeve nga Kombëtarja e Shqipërisë drejt asaj të Kosovës, lojtari i fundit që e ka bërë këtë është Mërgim Vojvoda.

21 vjeçari luan si mbrojtës te klubi belg, Mouscron, ndërsa deri më tani e ka përfaqësuar Kombëtaren e Shqipërisë për grupmoshat U-21.

Lidhur me vendimin e tij, Sportali ka kontaktuar agjentin e Mërgimit, Gazmend Vojvodën, i cili njëkohësisht është edhe vëllau i tij.

Mërgimi është ende në bisedime me Federatën e Futbollit të Kosovës, ndërsa në ditët e ardhshme pritet që të finalizohet kalimi i tij te Kosova.

Gazmendi tha për Sportalin se arsyeja e këtij vendimi është se prindërit e tyre kanë lindur këtu dhe se ai e ka ëndërr që ta përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare.

”Mërgimin e shtyri për ta përfaqësuar Kosovën fakti se këtu kanë lindur prindërit tanë dhe këtu është vendi, ku kemi dhënë kontributin tonë”.

”Kur them kontributin, mendoj atë që babi im ka ndihmuar Kosovën në luftë, kur edhe ishte pjesëtar i UÇK-së dhe pasi që kemi mundësi, pse t’i themi jo Kosovës”, potencoi ai.

Vojvoda gjithashtu zbuloi se ka pasur kontakte nga drejtues të FFK-së dhe se këto kontakte vazhdojnë ende të jenë aktuale edhe në vazhdim.

”Po, ne jemi në kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës. Këto kontakte kanë ndodhur më herët, por ato janë prezente edhe tani”, u shpreh Vojvoda.

Sipas agjentit të Mërgimit, ai gjithashtu duket optimist për të ardhmen e Kombëtares së Kosovës, teksa ka folur edhe për eliminatorët e Kupës së Botës.

”Kosova mund ta ketë një ekip shumë të mirë në vitet e ardhshme për arsye se përbëhet nga shumë lojtarë të rinj me cilësi të jashtëzakonshme”.

”Mendoj që kualifikimi në Kupën e Botës do të jetë i vështirë, por në futboll nuk i dihet. Shpresoj që kjo të ndodhë pasi që gjithçka është e mundur”.

”Sa i përket vendit në formacion, mendoj se Mërgimi ka aftësitë e mjaftueshme për këtë pasi që luan në Super Ligën e Belgjikës në një ekip bazë si Mouscron”, theksoi agjenti i mbrojtësit të talentuar.

Ndërsa, agjenti i Mërgimit ka folur edhe për potencialin e Kosovës si dhe për ndeshjen e fundit kundër Finlandës në kuadër të eliminatorëve për Kupën e Botës.

”Besoj se Kosova ka pasur shans që të marrë më shumë se një pikë në këtë ndeshje dhe për fillim kjo kombëtare është një ekip i përbërë me lojtarë, të cilët nuk kanë luajtur së bashku më herët”.

”Mua më kanë befasuar kombinimet e tyre në fushë. Të gjithë e kanë kryer detyrën e tyre, por besoj se Miloti e ka rrezikuar Finlandën mjaft shumë me depërtimet e tij fantastike”.

Gjithashtu, agjenti i Mërgimit zbuloi për Sportalin edhe situatën e vëllaut të tij te Mouscron si dhe foli pak edhe për mardhëniet me trajnerin e klubit belg.

”Mardhëniet janë të mira dhe trajneri beson shumë në Mërgimin. Për të ka pasur oferta nga Kroacia, Spanja dhe Gjermania, por Belgjika është vendi i duhur për zhvillimin e tij”, përfundoi Gazmend Vojvoda

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button