RDK: Çmenduria e radhës e shtetit, mbledh haraç përmes DAP-it

Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) reagon rreth tentimit të shtetit për të filluar sipas kësaj partie, të mbledh haraçin nëpërmes Drejtorisë së të Hyrave Publike duke publikuar listën e gati 5% të popullatës së shtetit, të gjithë persona fizik, që u është shqiptuar vendimi për bllokim të xhirollogarive.
LEXO: DAP detyrimisht do t’i paguajë taksat radiodifuzive: Shihni a jeni në listë

“Bllokimi i 85 mijë xhirollogarive të personave fizik për mos-pagesën e taksës radiodifuzive është një çmenduri e paparë dhe kërkon reagim urgjent, sidomos nga ana e Avokatit të Popullit, në mbrojtje të popullatës që janë duke u rrjepur nga ana e organeve të shtetit. Pafuqia e shtetit për të siguruar fonde për Radio Televizionin e Maqedonisë nuk mund të paguhet nga ana e popullatës së ngratë që edhe ashtu jeton në kushte mizore.” reagojnë nga RDK.

Më tej, Rilindja Demokratike Kombëtare thekson se bllokimi i xhirollogarive të 5% të popullatës është antiligjore dhe Avokati i Popullit, së bashku me organizata tjerra, duhet urgjentisht të dalin në mbrojtje të popullatës.

“Shteti, duke luajtur rolin e mbrojtësit të pakompromistë të Radio Televizionit të Maqedonisë, në emër të popullit detyron njerëzit të paguajnë taksë radiodifuzive, edhe pse një pjesë e madhe e njerëzve nuk gjenden fare në shtëpitë e tyre. Një pjesë e madhe e mërgimtarëve detyrohen të paguajnë taksë radiodifuzive, dhe u bllokohen xhirollogaritë, edhe pse ata me vite nuk qëndrojnë në vendlindje. Në të njëjtën kohë, për shkak të mos-azhurimit të të dhënave, Drejtoria e të Hyrave Publike sjell vendim për pagesë të taksës dhe bllokim të xhirollogarive edhe për njerëz që kanë ndru jetë para shumë vitesh.” thuhet në kumtesën e RDK-së.

Gjithashtu, sipas po të njëjtës parti, Drejtoria e të Hyrave Publike detyrojnë të paguajnë taksën Radio Difuzive dhe bllokon xhirollogarite e më tepër anëtarëve të një familjeje.

“Detyrimi të paguash një taksë për një shërbim që një pjesë e madhe e popullatës nuk e shfrytëzon asnjëherë këtë shërbim, mund të interpretohet vetëm si komunizëm nga ana e shtetit duke tentuar të mbledh haraçin, dhe e gjitha në kurriz të popullatës. Për këtë arsye, Avokati i Popullit, së bashku me organizatat tjerra, duhet urgjentisht të dalin në mbrojtje të popullatës, dhe jo të mbrojnë shtetin për pafuqinë e tyre për të siguruar fonde për Radio Televizionin e Maqedonisë.” thuhet në kumtesën e RDK-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button