Gjermani, Merkel pëson disfatë para zgjedhjeve të 2017-tës

Partia e kancelares, Angela Merkel, ka shënuar një humbje të thellë në zgjedhjet që u mbajtën në shtetin federal të Meklenburgut, duke u radhitur në vend të tretë pas Partisë Social-Demokrate me të cilën udhëheqin në qeverisje dhe pas partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, që mbështet idenë e mbylljes së dyerve për emigrantët.

CDU ka arritur që të fitojë vetëm 19% të votave, ndërkohë që social-demokratët arritën të zënë vendin e parë me 30% të votave, ndjekur nga Alternativa për Gjermaninë me 21%. Votimi u konsiderua si një test mjaft i rëndësishëm kur në horizont janë zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Rëniet e partisë së Merkelit janë paralajmëruar shpesh nga sondazhet e shumta që janë realizuar përgjatë muajve të fundit. Sipas ekspertëve, ndikuesi kryesor në këto rezultate është pikërisht kriza e emigrantëve. Sulmet terroriste si dhe fluksi i tyre i lartë ka bërë që shumë qytetarë të mos mbështesin më politikën e dyerve të hapura që ka ndjekur shefja e ekzekutivit gjerman në dy vitet që kemi lënë pas. Vetëm gjatë vitit të shkuar, Gjermania pranoi mbi 1.1 milionë azil-kërkues.

Fluksi i tyre është pezulluar përkohësisht për shkak të mbylljes së rrugës ballkanike dhe firmosjes së marrëveshjes së njohur si plani i veprimit me Turqinë.

Sipas marrëveshjes, Ankaraja ka pranuar që të strehojë refugjatët dhe të mos i lejojë ata të vijojnë rrugëtimin drejt Europës perëndimore në këmbim të të tre miliardë eurove dhe liberalizimit të vizave. /TVM2

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button