Kaosi në Bit Pazar pastrohet për ardhjen e Gruevskit

Rregull si asnjëherë më parë në Bit Pazar të Shkupit. Asnjë shitës në rrugë, as para hyrjes së teatrit, rrugë të pastruara dhe hapësirë e hapur. Kjo për shkak se sot nuk ishte një ditë e zakonshme, sot në Pazar vinte kryeministri Nikolla Gruevski.

Kamera e televizionit Alsat dje xhiroi pamjen e kësaj pjese të Bit Pazarit në një ditë të zakonshme, ditë kur andej nuk kalon asnjë funksionarë, asnjë ministër e as kryeministri, por vetëm qytetarë të Çairit.

Gjithandej tezga, qenë endacakë e vetura të parkuara.

Hyrja në teatër është rrëfim në vete. Së pari duhet ta gjeni hyrjen mes djepave për fëmijë dhe orendive të tjera që shiten në trotuar.

Sot herët në mëngjes pamë se si duket shndërrimi i këtij tmerri të përditshëm të qytetarëve, në rehati gjysmë orëshe për funksionarët dhe veturat e tyre të shtrenjta. 

Por a do të vazhdojë të mbetet ky tmerr në hyrje të Teatrit të shtrenjtë që duhet të ndërtohet?

Kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti në fushatën parazgjedhore kishte premtuar rikonstruimin e Bit Pazarit, dhe shndërrimin e tij në treg modern dhe të mbuluar.

Me këtë projekt duhej të zgjidhet edhe problemi i tezgave në rrugë dhe mungesa e parkingut për konsumatorët që vizitojnë tregun.

Ky projekt ishte përfolur qysh para këtij premtimi parazgjedhor, por ende nuk ka gjetur nismën e saj.

Mexhiti thekson se po pritet plani detal urbanistik, dhe se ky projekt mund të fillojë në pranverë.

“Veçmë ka hyrë në programin e shoqatës aksionare “Skopski Pazar” investimet e Bit Pazarit. Në përfundim janë procedurat për sjelljen e planit detal urbanistik.

Pak është vonuar sepse u soll plani i ri gjeneral urbanistik, që nënkupton që duhet të sillen plane të reja.

Mendoj që nëse përfundojmë procedurën së shpejti, diku nga prilli, majit mund të jetë edhe fillimi i punimeve, me çka kompletohet i gjithë ky projekt kompleks, pra Teatri i Bit Pazarit dhe Çarshia”, deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.

Ky projekt, sipas parashikimeve duhet të kap shifrën prej 10 milion euro, mjete të cilat do të sigurohen nga ndërmarrja “Skopski Pazar”. /Alsat-M/

Lajme të ngjashme

Back to top button