Kush është Elona Çaushi, gruaja që solli konceptin “Duty Free” në Shqipëri?

Një grua e suksesshme në biznes dhe me një përvojë të gjatë, prej 19 vitesh, në këtë fushë, Elona Çaushi rrëfen sesi e nisi gjithçka në vitin 1998, duke sjellë në aeroportin e Rinasit për herë të parë jo vetëm dyqanin, por edhe konceptin “duty free” dhe për ta zhvilluar edhe më shumë sferën e saj të veprimtarisë, duke ndërthurur në një, modën dhe biznesin. Ajo ka sjellë në Shqipëri marka prestigjioze si “Furla” e “Chanel”. Në një intervistë të gjatë për revistën Madame Mapo ajo rrëfen sesi vajza e ambasadorit, e diplomuar në fushë të Historisë së Europës Juglindore, vendosi një ditë t’i përkushtohet biznesit dhe të mos ndahet më prej tij. Për zonjën që identifikohet me markat e mëdha, luks është vetëm pak kohë e lirë…

Gjithçka nisi atje. Në aeroportin kombëtar të Rinasit, që asokohe kur ajo, një vogëlushe vetëm disavjeçare udhëtonte me prindërit jashtë Shqipërisë, nuk quhej Nënë Tereza dhe as nuk kishte pamjen që ka sot.

I mban mend ato pak karrige e stola në sallën e pritjes një klub për të pirë një kafe përpara se avioni të nisej në fluturim dhe pamja përtej xhamit të terminalit nuk të ofronte më shumë larmi për syrin veçse ndonjë zogu të bardhë e gjigant prej hekuri që priste të nisej diku, me ata pak pasagjerë që kishin kaluar një mijë e një kontrolle nga më të imëtat për të bindur regjimin se do të ktheheshin sërish, aty ku u nisën.

Destinacioni i parë jashtë Shqipërisë ishte në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, pasi të atin, Shpëtim Çaushin, e kishin emëruar ambasador të Republikës sonë atje. Edhe kthimet në vend, pas mandateve të kryera të të atit i ka të fotografuara në kujtime po aq pastër dhe me ngjyra sa edhe ndodhitë e bukura në secilin vend që vizitonte…

Kështu për shumë vite, aeroporti iu bë si vendi që zgjedh një shpend për t’u shkëputur nga toka në fluturim. I fundmit dhe më i gjati, si bijë e ambasadorit, ishte udhëtimi në Gjermani. I ati do të ishte i pari ambasador shqiptar në Gjermani, në vitin 1987 kur Muri i Berlinit ende nuk ishte rrëzuar.

Atje kreu edhe studimet e larta për Histori të Europës Juglindore, pasi kishte kryer me rezultate të shkëlqyera ato në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë (ndërsa rrëmon për të gjetur disa nga shkrimet e saj të lajmeve nga bota, botuar në “Koha Jonë” shumë vite më parë, përpara i dalin edhe rezultatet e notave apo edhe diploma “Cum Laude”, dizertacioni e shumë të tjera).

Ndërsa studionte vendosi të bashkëpunonte me të përditshmen më prestigjioze të viteve të para të pluralizmit në Shqipëri “Koha Jonë” duke i furnizuar me lajme që vinin nga çështjet e brendshme dhe të politikës së jashtme gjermane. I ruan sot e kësaj dite dhe e kujton me nostalgji atëkohë kur për tre vjet rresht punoi si korrespodente. Por gazetaria veçse një pasion nuk qe kurrë vokacioni i saj. As diplomacia madje, edhe pse kishte mësuar aq shumë nga një diplomat karriere si i ati. Vendosi ta ulë fluturimin sërish në vendin e saj, në aeroportin e Rinasit, më 1998-ën. Edhe pse vitet kishin kaluar asgjë nuk kishte ndryshuar për t’i dhënë një fytyrë tjetër asaj pike të fundme ikjesh dhe kthimesh. Vendi sapo kishte dalë, me jo pak humbje e dhimbje prej 1997 –ës dhe njerëzit që donin të iknin ishin shumë. Edhe pse jo komunizëm, ata që ia dilnin të largoheshin duhet sërish të kalonin kalvarin e vizave.

Ajo u kthye dhe një ide e atypëratyshme i lindi. Do të sillte në Tiranë, në aeroportin e Rinasit “duty free”-të. Duhej nisur nga diçka për ta bërë këtë vend, në mos njëlloj të paktën të ngjashëm me të gjithë aeroportet ku Elona ishte ulur nëpër botë.

Të gjithë do e shihnin me habi, jo për nismën e ndërmarrë, por për konceptin që askush nuk e njihte. Ç’ishin këto dyqane me mallra luksi, por edhe çikërrima të brand-eve të njohur ndërkombëtarë që do shisnin pa u kufizuar nga taksat e vendit, sepse aeroporti ishte një copëz tokë neutrale. Një ishull i vogël ku mund t’i shpëtoje edhe për pak problemeve të vendi tënd e të zhyteshe në aromën e huaj dhe mund të blije diçka të kushtueshme edhe më lirë se do të gjeje në çdo tjetër dyqan në vendin tënd apo edhe jashtë tij.

Vendosi të lërë pas natyrën e saj të ndrojtur dhe introverte dhe të vishte pak nga pak petkat e një gruaje që po ndërtonte një biznes, një biznes që do i rezistonte frikës së dështimit, sfidave të kohës dhe do të rritej dhe zgjerohej…

Pikërisht në aeroportin që do të bëhej pikë destini e jetës së saj, lulëzoi edhe biznesi i parë. Ndërsa sot, pas 19 vitesh Elona Çaushi e ka zgjeruar edhe më shumë biznesin e saj, por gjithnjë me sytë nga e bukura… Nëse më parë do t’i shihnit vetëm kur udhëtonit jashtë apo nga interneti ose në rastin më të keq në imitime të paskrupullta që mundohen të shesin për origjinale, tashmë “Furla” apo “Chanel” e gjeni në Tiranë. Sapo ka sjellë ekskluzivisht edhe linjën e parfumeve “Prive” të markës prestigjioze “The Merchant of Venice”. Nëse deri tani mund ta gjenit vetëm në Venecia- vendi i origjinës- apo në zinxhirin e dyqaneve “Harrods” në Londër, tani është edhe në Duty free-të në aeroportin e Rinasit apo në Coin apo atelier-in e stilistes Bora Kokëdhima. Elona ka arritur të sjellë me ekskluzivitet , jo vetëm artikuj të modës së lartë, por edhe histori dhe traditë të së bukurës dhe stilit.

Sekreti për t’ia dalë? Brand-eve të mëdha duhet t’ua përkëdhelësh pak sedrën, thotë ajo duke qeshur, ndërsa duket se ca instinkte të diplomacisë i ka brendësuar tashmë. As biznesi dhe as moda nuk ia kanë zbehur shqisat e formimit akademik. Është e informuar mbi ç’ka ndodh jo vetëm në vend e në rajon, por kudo nëpër botë.

Bizneset tuaja lidhen kryesisht me modën, nga Duty Free-të ,në aeroport që duket sikur përfaqësojnë një botë ishullore, të shkëputur nga pjesa tjetër, si pjesë e një republike të së bukurës , te ato të markave të mëdha si “Furla” apo “Chanel” , ekskluzivitetin e së cilës e keni sjellë së fundi edhe në Shqipëri. Kur i keni parë për herë të parë vitrinat e markave të mëdha, në cilin qytet dhe çfarë keni menduar atëkohë?

Vitrinat e markave të mëdha i kam parë që e vogël duke i zbuluar dhe vetes që sensin për të bukurën e kisha shumë përzemër. Në atë kohë, aq e vogël nuk mendoja asgjë, nuk kisha asnjë plan.Krijimi i bizneseve ka qenë një ndërthurje e spontanitetit me dëshirën dhe sigurisht pak fat.

Foto: Bevis Fusha

Si u pritën në fillim bizneset tuaja? Si i ndryshoi fytyra aeroportit pasi e futët filozofinë e “duty free” mbretërisë së vogël të mallrave pa taksa? Në këtë sektor që ju zgjodhët t’i kushtoheshit, a bëhej jetike për të qenë largpamëse ? Apo i keni parë frytet edhe në periudha afatshkurtra, të menjëhershme?

Biznesi i Duty Free –së në atë kohë u prit me hutim dhe padituri totale. Kjo padituri për mua, pa ironi e them që, ishte kyçi i suksesit tim të fillimit. Shumë pak veta e dinin çdo të thoshte Duty Free. Patjetër që Duty Free i ndryshoi totalisht pamjen asaj salle të vogël, minimaliste, të aeroportit të vjetër ku ndodhej vetëm një bar, disa radhë me karrige e stola për pasagjerët dhe dy dyqane të vogla të tjera modeste. Duty Free u hap me një investim për kohën, të konsiderueshëm duke qenë vetëm 60 m2.

Së fundi Chanel, një emër që ka bërë historinë e modës. Si e sollët në Shqipëri? A ishte e vështirë?

Po, ne jemi partnerët ekskluzivë të Chanel-it për Shqipërinë. Po pate të fortë ndjenjën e dëshirës sigurisht të ndërthurur me pasionin nuk besoj që gjërat për t’i arritur janë të vështira. Brand – et duhet t’i respektosh pse jo dhe t’i përkëdhelësh pak, t’u respektosh në çdo detaj imazhin. Ky është sekreti që ne sollëm Chanel – in në Shqipëri.

Çdokush që dëgjon për një grua të përkushtuar biznes, por një biznes që lidhet fort me modën, do ju kishte zili, por si është puna pas ? A është gjithçka aq e lehtë sa duket për t’u marrë me këtë lloj biznesi?

Të them të drejtën më parë s’e kam menduar asnjëherë që në jetë do bëja biznes dhe aq më pak t’i përkushtohesha. Çdo gjë ishte thjesht ndërthurje mes rastësisë dhe fatit. Fati ose të jep dorën ose të lë në baltë. Fjala zili nuk më çudit te pyetja. Fatkeqësisht po bëhet nga dita në ditë kryefjala e çdo gjëje, që po bren njerëzit. Unë për fat të mirë nuk e kam aspak në axhendën time.

Të jesh businesswoman në Shqipëri ka fatkeqësisht diferencë nga të qenit businessman, kjo lidhet me faktin e koeficientit të diferencave që përjeton ende shoqëria shqiptare. Kështu edhe në rastin tim të bërit biznes s’ka qenë aspak e lehtë. Mbas kaq vitesh kuptoj që këto vështirësi kanë lënë gjurmë tek unë deri do thosha më kanë ndryshuar nga të qenit tip timid dhe introvert në një njëri që çon gjërat deri në fund. Të paktën mundohem t’i shoh anën pozitive.

Përtej të qenit fitimprurës a jua merr puna të gjithë kohën për t’u marrë me gjëra apo aktivitetet të tjera? Cilat janë pasionet tuaja përveçse për të çuar përpara biznesin? A keni pengje në jetë të cilat nuk i realizuat dot? Çfarë do kishit bërë nëse nuk do të vendosnit të merreshit me biznes? E kishit menduar ndonjëherë të ndiqnit hapat e babait tuaj, në një karrierë diplomatike?

Puna më merr pjesën më të madhe të kohës dhe më mirë kështu. Çfarë do kisha bërë nëse nuk do të merresha me biznes? Nuk para i bëj pyetje vetes pasi do ishte e mundimshme. Çfarë do kisha bërë nëse… Mundohem të pyes çfarë do bëj sot dhe nesër. Mundohem të mos mendoj për dje, sepse jam e bindur që nuk do të më lërë të eci dhe të bëj gjërat që dua vërtet t’i bëj.

A do ndiqja rrugën e tim eti? Im atë për mua ka qenë dhe është një etalon, që jam munduar ta kopjoj por akoma nuk e arrij. Është njëri që edhe kur jam e mërzitur gjej paqe. Nuk mendoj se do ndjek rrugën e tij të diplomacisë. Parimi jep dhe merr është parimi i diplomacisë, ka thënë Mark Twain.

A vazhdon të shihet ende biznesi si domein i burrave? A hasni në seksizëm apo maskilizëm në këtë fushë apo gruaja e ka më të lehtë ? Si shihet një grua në biznes në Shqipëri dhe si shihet jashtë vendit? A ndieni dallimin?

Patjetër që ambienti maskilist nuk mbizotëron vetëm në Shqipëri, gjenezën nuk e ka te ne. Është një fenomen i importuar, por në një mënyrë të shëmtuar. Shihet më shumë në Ballkan ku ky fenomen është më i dukshëm, nuk mundohet të fshihet. Por ekziston në gjithë botën ku është më i kamufluar se te ne. Pabarazia gjinore është një problem edhe në vende me demokraci më të pastra si në Amerikë. Vetëm 2% janë gra, ato që drejtojnë korporata të mëdha. Gratë drejtuese në Shqipëri janë shumë pak, pothuaj inekzistente. Sigurisht e kam ndjerë gjatë gjithë aktivitetit tim. Jam munduar ta anashkaloj, por në shumë raste dhe e kam përballuar jo pa kosto. Kosto më e madhe do të thosha është ajo që për hir të ambientit mundohesh të ndryshosh, përshtatesh duke marrë ca tipare që s’ janë aspak të tuat, por që mbas një farë kohe sheh që të janë bërë organike. Ky është një dëm vetëmbrojtës që gratë në Shqipëri si në politikë ashtu edhe në poste drejtuese mundohen të ndryshojnë të humbin një pjesë të tipareve femërore, për shkak të këtij ambienti mbytës dhe dominues.

Kur nuk jeni duke u marrë me punë, cilat janë kënaqësitë e vogla për të kaluar ditën?

Kënaqësitë e vogla për perceptimin tim janë luks, ekstravagancë. Kurrsesi më parë nuk do e konceptoja kështu por koha është leksioni më i mirë dhe i dobishëm. Kalon koha, ti rritesh, i sheh gjërat totalisht ndryshe me perceptim më realist dhe më thjeshtë. Gjera të vogla për mua është të rrish me veten. Një luks që fatkeqësisht na mungon shpesh.

Madame Mapo

madamemapo.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button