Përgjegjësia duhet të ketë emër dhe mbiemër!

Liderët e partive politike, sidomos ato që janë në Qeveri, duhet të bartin përgjegjësi për moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në tërësi. Kështu thonë njohësit e çështjeve politike.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka theksuar mungesën e vullnetit politik dhe ka kritikuar elitën politike, por pa precizuar adresën e fajësisë. Duke u munduar kështu që duke përgjithësuar fajin, të mos ketë përgjegjësi individuale.

Lidhur me këtë, profesori universitar Mersel Bilalli për Portalb ka ironizuar retorikën e Ali Ahmetit. Sipas tij, ky person duhet të shkoj te Muri i Vajit në Jerusalem dhe përpara një pasqyre të madhe të kërkojë fajtorin.

“Ai disa herë ka dhënë premtime të tipit – nëse brenda këtij viti nuk shkojmë në NATO do ta lëshojmë Qeverinë dhe kështu kaluan shumë e shumë vite. Faji i pafalshëm është kthimi i proceseve integruese pas, madje 20 vite dhe përdhosjen totale të MO. Njëherit ka faj pasi ka shërbyer si ushqyes dhe alimentues i regjimit të Gruevskit, një diktator ordiner. Ata duhet të japin edhe llogari për financat edhe para konfliktit pasi dyshimet për keqpërdorime janë evidente. Ata me injorancën e skajshme të tyre degjeneruan popullatën e vet si askush më parë. Madje edhe për Gruevskin te kishin votuar shqiptarët, ai se paku diçka do të bënte për dallim nga këta që sollën mjerimin kolektiv”, deklaroi për Portalb Bilalli.

Bilalli vlerëson se Ali Ahmeti, jo vetëm dorëheqje, por edhe falje kolektive duhet të kërkojë.

Edhe analisti Selim Ibraimi është i mendimit se liderët e partive sado që të përdorin retorikën si mjet për të mbuluar pengesat dhe vështirësitë, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë që morën në vitin 2001.

“Ka shumë punë për t’u bërë dhe ende nuk po gjendet gjuhë e përbashkët për tejkalimin e mosmarrëveshjeve në parlament dhe qeveri. Do të ishte mirë liderët të flasim me këtë gjuhë sikur raportet vjetore të Departamentit të Shtetit dhe BE-së të tregonin një situatë tjetër etnike, të balancës ekonomike- sociale dhe respektimit të ligjit. Realiteti politik në Maqedoni e tejkalon MO. Raportet shqiptaro-maqedone po sfidohen tashmë nga aktorë të jashtëm dhe me tendenca të rënies së besimit. Andaj një prani amerikane më e fuqishme diplomatike dhe komerciale do të mund ta aktivizojë një lidership tjetër që do t’i jepte fund krizës së marrëdhënieve shqiptaro -maqedone. MO e parandaloi konfliktin, por liderët nuk e përcollën mesazhin deri në fund, pasi që kur ish kryetari i atëhershëm i parlamentit Stojan Andov luante me seancat parlamentare të Preambulës (2001-2002), MO nuk u pa si vazhdim i përpjekjeve politike për ripajtim, por për mbivotim ,karrierë politike dhe shumë fenomene tjera negative që e përcollën këtë marrëveshje ndërkombëtare”, tha për Portalb Ibraimi.

Ibraimi kujtoi se vet James Perdju, ish kryenegociatori i MO-së, në vitin 2014 gjatë një vizite në Shkup tha se MO nuk është respektuar nga palët dhe kritikoi liderët e partive shqiptare për mosangazhim.

Analistët rekomandojnë që përgjegjësit të japin llogari. Liderët të mbajnë përgjegjësi dhe t’i zbulojnë fajtorët e dështimeve në mesin e tyre./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button