Përfundon garat në “Rio 2016” edhe Drita Islami
Përfaqësuesja e fundit për Maqedoninë në Lojërat Olimpike Verore “Rio 2016”, ishte atletja shqiptare Drita Islami, e cila vrapoi në disiplinën 400 metra me pengesa, garën e mbrëmshme e përfundoi nën mundësitë e saja dhe ishte për 16 të qindtat më e ngadalshme nga rezultati me të cilin ishte paraqitur në Rio.
Islami vrapoi me kohë 1 minutë 1 sekondë e 18 të qindtat, mjaftueshëm vetëm për pozitën e shtatë në grupin e dytë kualifikues në të cilën fitoi Joana Linkvieviq nga Polonia, që e mbylli vrapimin me kohë 56 sekonda e 7 të qindtat. Kanadezja Çanis Çejs vrapoi një minutë dy sekonda e 83 të qindtat dhe ishte vrapuesja e vetme më e ngadalshme se atletja shqiptare Islami. Pas islamit mbetën edhe tri atlete tjera të cilat ishin të diskualifikuara.
Drita Islami në rio 2016 u paraqit me kohën 1.01.02, e cila kishte kohën më të dobët nga të gjitha garueset në disiplinën 400 metra me pengesë. Në renditjen e përgjithshme nga 48 garuese, Drita Islami përfundoi në pozitën e 45-të. Atletet vrapuan në kohë shumë të vështirë, pasi mbrëmë kishte reshje të dendura të shiut dhe pikërisht për këtë shkak edhe fillimi i garës ishte anuluar në disa sporte tjera. /PORTALB.MK/