Gjysmëhëna e Kuqe Turke ofron ndihmë për normalizimin e situatës në Shkup

Pas përmbytjeve që ndodhën në Shkup të cilat morën jetën e 22 personave dhe të cilat shkaktuan dëme të mëdha materiale, Gjysmëhëna e Kuqe Turke në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Maqedonisë dhe “Këshillin Koordinues të OJQ-ve për Përmbytjet”, bëri shpërndarjen e mjeteve për pastrim për të prekurit nga përmbytjet, raporton Anadolu Agency (AA).

Zv/Kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë, Ismail Hakki Turunç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme shumë shtëpi janë përmbytur dhe shtoi se vendbanimet e banorëve janë të ndotura në masën më të madhe.

Duke u shprehur se në shtëpi dhe vende të punës kanë hyrë baltë dhe mbeturina të tjera, Turunç theksoi se “Këto shtëpi dhe vende të punës duhet të pastrohen sërish. Në këtë drejtim, banorët me mundësitë e veta apo përmes organizatave të shoqërisë civile në vend dhe përmes mundësive të shtetit kanë arritur të sigurojnë disa mjete për pastrim, megjithatë, edhe në cilësi të Gjysmëhënës së Kuqe, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Maqedonisë morëm një sasi produktesh për t’ua shpërndarë banorëve këtu.”

Turunç bëri të ditur se në mesin e mjeteve të shpërndara ka lopata, kazma, karroca dore, doreza, kova dhe produkte higjienike. “Aktualisht, këto janë gjërat për të cilat ka nevojë këtu. Në hapësirat e ngushta mund të hyhet vetëm me këto mjete dhe të bëhen pastrime. Përndryshe, makinat e mëdha të punës po bëjnë mbledhjen nga rrugët dhe sheshet të mbeturinave që janë hedhur jashtë dhe po i dërgojnë jashtë qytetit. Absolutisht, brenda shtëpive duhet hyrë vetëm me këto produkte të vogla higjienike”, u shpreh Turunç.

Bëhet e ditur se në etapën e parë do të shpërndahen 700 produkte për pastrim.

Nga ana tjetër, zyrtari nga Kryqi i Kuq Ali Samet, duke e falënderuar Gjysmnënën e Kuqe Turke, tha se “E falënderoj popullin dhe shtetin turk që nuk i kursen ndihmat sa herë që në shtetin tonë ndodhë ndonjë katastrofë.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button