Deputetja e PD, policit rrugor: Shko mblidh hashash. Reagon Tahiri: Skandal, injorancë

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka reaguar pas një videoje që deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda ka shpërndarë në rrjetin social Facebook e që më pas është publikuar në disa portale ku ajo shihet teksa i drejtohet një polici rrugor me fjalët: ‘Shko mblidh hashashin’, në momentin që ky i fundit kishte ndaluar automjetin ku Deda udhëtonte me familjen.

Përmes një statusi të publikuar në faqen e ve zyrtare në Facebook, Tahiri e cilëson skandaloze sjelljen e deputetes ndaj një funksionari publik dhe shembullin më të shëmtuar të mungesës së respektit ndaj ligjit, transmeton Gazeta Shqip.

“Sjellje skandaloze e një deputeti ndaj një funksionari publik. Turp për PD sjellja e deputetes ndaj punonjësit të policisë. Nuk kisha menduar kurrë që një deputet do filmonte gangsterllëkun e vet me policinë e do ishte aq fodull sa t’ia përplaste në fytyrë publikut këtë shfaqje të shëmtuar.

Mund të nxjerrësh të inkriminuarit jashtë parlamentit me ligj, por nuk nxjerr dot me ligj jashtë parlamentit as injorancën, as mungesën e qytetarisë dhe edukatës minimale. Kur deputeti duhet të jete shembull i respektit ndaj ligjit e veçanërisht ndaj punonjësit të policisë, e kundërta ndodh me këtë lloj race deputetesh që në foltoren e parlamentit shesin moral e ne jetën e përditshme sillen si gango me policinë.

PD zyrtare do kërkojë falje për këtë shfaqje vulgare, injorance e fodullëku? Këto pamje janë fiks gjithçka kishim nevojë të linim pas krahëve, për t’i dhënë vendit modelin e respektimit te ligjit, me se pari nga ata që mbajnë funksione publike.
Kjo qeveri po çmonton pandëshkueshmërinë, ndaj shembuj te tille injorance e banaliteti janë forca me e mire për te ecur ne rrugën e nisur.

Kurajë për punonjësit e policisë së shtetit qe përballen me këtë lloj dhune pushtetarësh. Këta lloj deputetesh janë turpi i vetes, i shoqërisë dhe i atyre qe nga bunkerët e SHQUP-it nuk bëjnë gëk-mëk për t’i dënuar por i mbrojnë siç mbrojnë gangot njeri-tjetrin.
Shpërndaji pamjet e deputetes sa më shumë, qe ta kuptojë i madh e i vogël nivelin banal ku është katandisur PD.
Kaq mjafton për të na dhënë kurajë të gjithëve, Shqipërisë së gjeneratës tjetër”, shkruan ministri në Facebook.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button