BSH: Trajektorja pozitive e zhvillimeve ekonomike do të ruhet edhe në të ardhmen

Banka e Shqipërisë ka prezantuar sot raportin tremujor të politikës monetare për vitin 2016, ku janë pasqyruar disa nga treguesit e zgjerimit të aktivitetit ekonomik dhe inflacionit, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas këtij raporti ecuria e ekonomisë dhe e tregjeve financiare shqiptare ka qenë përgjithësisht në përputhje me pritjet e Bankës së Shqipërisë. “Aktiviteti ekonomik rezultoi në zgjerim gjatë gjysmës së parë të vitit, inflacioni pati tendenca rritjeje gjatë tremujorit të dytë, ndërsa kahu stimulues i politikës monetare ka mundësuar krijimin e një ambienti financiar likuid dhe me norma të ulëta interesi. Në këto rrethana, parashikimet afatmesme të Bankës së Shqipërisë nuk kanë ndryshuar. Inflacioni shënoi rritje progresive gjatë tremujorit të dytë”, thuhet në raport.

Gjithashtu Banka e Shqipërisë vlerëson se trajektorja pozitive e zhvillimeve ekonomike e financiare do të ruhet edhe në të ardhmen. Në çdo rast, qëndrimi i politikës monetare do të jetë në përputhje me objektivin e inflacionit dhe me nevojën e konsolidimit të mëtejshëm të burimeve të rritjes ekonomike.

Një element tjetër që pasqyrohet në këtë raport është edhe rritja ekonomike e gjysmës së parë të vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë kjo rritje pasqyroi efektet e kombinuara të politikës monetare stimuluese dhe të politikës fiskale konsoliduese të ndjekur në Shqipëri.

“Zgjerimi i aktivitetit ekonomik erdhi si pasojë e rritjes së konsumit dhe investimeve të brendshme private. Rritja e tyre pasqyron përmirësimin e bilanceve financiare të bizneseve dhe familjeve, zhvillimet pozitive në tregun e punës, zbutjen e pasigurisë dhe zhbllokimin e tregut të ndërtimit. Ajo është ndihmuar gjithashtu nga stimuli monetar dhe nga reduktimi i kostove të financimit të aktivitetit. Eksportet shqiptare vazhdojnë të vuajnë koniunkturën e pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare të mallrave, por ky faktor është kompensuar disi nga përmirësimi i turizmit”, theksohet më tej në këtë raport.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button