“Puçi”, ushtaraku i lartë turk kërkon azil në SHBA

Një oficer i lartë ushtarak turk, i cili ndodhej në detyrë në një bazë amerikane të NATO-s, ka kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara pasi është thirrur nga qeveria turke në vazhdën e spastrimeve pas grushtit të dështuar të shtetit të muajit të kaluar. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë amerikanë për agjencinë “Reuters”.

Kërkesa për azil shënon rastin e parë të njohur që përfshin një oficer ushtarak turk në Shtetet e Bashkuara, pasi Turqia ka nisur një fushatë të gjerë spastrimi në radhët e ushtrisë, pasi disa ushtarë të pabindur morën nën kontroll avionë luftarakë, helikopterë dhe tanke, në atë që rezultoi një përpjekje e pasuksesshme për të rrëzuar presidentin Tayyip Erdogan.

Rasti në fjalë ka një potencial të mjaftueshëm për të përkeqësuar edhe më shumë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, teksa kjo e fundit i ka kërkuar Uashingtonit të ekstradojë klerikun mysliman Fethullah Gulen, i cili jeton në ekzil të vetimponuar që prej vitit 1999 në Pensilvani, e që akuzohet nga autoritetet turke si organizatori i “puçit” të dështuar.

Dy zyrtarë amerikanë, të cilët folën për “Reuters” në kushte anonimati, thanë se oficeri turk ishte duke punuar në selinë e Komandës së Forcave Aleate për Transformimin, pjesë e NATO-s, që ndodhet në Norfolk të Virxhinias. Ata nuk ia përmendën emrin atij për shkak të pozicionit të lartë që mban.

Gjithsesi, një zyrtar në Ambasadën turke në Uashington tha se kundëradmirali i Marinës turke, Mustafa Ugurlu, dështoi t’u raportonte autoriteteve pasi Turqia lëshoi një urdhërndalimi për të gjatë muajit të kaluar.

“Më 22 korrik, ai dorëzoi mjetin e identifikimin profesional si dhe kartën personale të identitetit në bazën ku punonte, e pas asaj dite askush nuk ka dëgjuar më për të”, tha zyrtari turk, i cili gjithashtu foli në kushtet e anonimitetit.

Zyrtari turk tha se nuk kishte dijeni mbi kërkesën e mëtejshme për azil. Në prill, një lajm në faqen e internetit të NATO-s e identifikoi Ugurlunë si një ndihmësshef i stafit në komandën e ndodhur në Norfolk, përgjegjës për kontrollin, dislokimin dhe mbështetjen. Zyrtari i Ambasadës turke tha gjithashtu se dy oficerë të tjerë me grada më të ulëta ishin thirrur nga Shtetet e Bashkuara për t’u kthyer në Turqi. “Megjithatë, nuk ka asnjë urdhërndalimi për ta. Njëri prej tyre është kthyer, ndërsa tjetri do të kthehet së shpejti”.

Spastrimet në ushtrinë turke, – e cila ka edhe Forcat e Armatosura të dytat për nga madhësia dhe rëndësia në NATO, si dhe aspiron për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, – kanë rezultuar në mijëra ushtarë të shkarkuar, përfshi këtu rreth 40% të gjeneralëve.

Zëdhënësi i Pentagonit, kapiteni Jeff Davis refuzoi të komentonte, duke ia referuar pyetjet mbi personelin ushtarak turk pikërisht palës turke. Edhe Departamenti i Shtetit ka refuzuar të komentojë deri më tani. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button