Deputetët me deklaratë të përbashkët dënojnë sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar një deklaratë politike, me anë të së cilës dënojnë sulmin e mbrëmshëm ndaj Kuvendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas diskutimeve të deputetëve dhe harmonizimit të tekstit nga ana e përfaqësuesve të grupeve parlamentare, Kuvendi miratoi deklaratën, të cilën e lexoi deputetja Blerta Deliu-Kodra.

“Ne, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, dënojmë fuqishëm sulmin kriminal të kryer mbrëmë mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky është një sulm kundër shtetit të Kosovës, interesave të qytetarëve tanë dhe kundër qëllimeve e vlerave politike dhe demokratike që afirmojnë subjektet tona politike. Kërkojmë nga institucionet të marrin masat e duhura që ta zbardhin këtë sulm qyqar. Kuvendi u bën thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për zbardhjen e këtij akti kriminal”, thuhet në deklaratë.

Më parë sulmin e mbrëmshëm e dënuan të gjitha partitë politike në Kosovë, duke bërë thirrje që të zbardhet sa më shpejt. Policia e Kosovës në një prononcim shpalosi detajet nga sulmi i mbrëmshëm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, shprehet se pas marrjes së informacionit për sulm mbi Kuvendin, policia e Kosovës me njësitet e saj, duke përfshirë edhe ato të specializuara ka reaguar menjëherë duke ndërmarrë veprime të shpejta operacionale dhe hetimore lidhur me ngjarjen.

“Si rezultat i angazhimeve profesionale policore, përveç sigurimit të vendit të ngjarjes është arritur që gjatë operacionit për identifikim të të dyshuarve dhe sigurimit të provave që mund të çojnë në zbardhjen e rastit janë gjetur dëshmi relevante si: një mjet për hedhjen e predhave, me të cilën dyshohet se është kryer sulmi ndaj ndërtesës së Kuvendit të RKS-së. Policia ka arritur që në rrugën ‘1 tetori’ ta gjejë një motoçikletë e cila ishte duke u djegur dhe shishe molotovi, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga të dyshuarit”, ka deklaruar Hoxha.

Mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë, mbrëmë vonë është hedhur një mjet shpërthyes, ndërsa nga sulmi nuk ka pasur viktima në njerëz. Siç thuhet në njoftimin e policisë, gjatë sulmit nuk ka pasur të vdekur apo të plagosur, por vetëm dëme materiale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button