E dhimbshme: Djali tregon historinë e 39 vjeçares që u dhunua nga burri dhe i biri (VIDEO)

Në shtëpinë e Vojsava Arapit, gruas që u dhunua nga i shoqi dhe djali i madh 17-vjeçar, gjejmë vetëm më të voglin e shtëpisë: dëshmitarin e vetëm që mori vrapin për të kërkuar ndihmë në polici, ndërsa i ati e i vëllai e gjuanin sa kishin forcë e i prisnin me gërshërë flokët, nënës me të cilën sapo kishte ardhur nga lutja në kishë.

“Kur erdhëm nga kisha, babi nisi duke bërtitur e duke u zënë me mamin me fjalë. Kur erdhi vëllai, babi i gjuajti mamit dhe atij iu bashkua edhe vëllai. Më pas, i prenë edhe flokët”, tregon i vogli.

12-vjeçari, për fat të keq nuk është vetëm dëshmitari i ngjarjes së të dielës. Që kur mban mend, babai e ka rrahur të ëmën. Edhe këtu në shtëpinë me qira të ish-Kënetës në Durrës, edhe atje në fshatin e Mirditës ku familja jetonte deri para 3 vitesh.
“Është e tmerrshme. Kjo është hera e parë që e kam denoncuar në polici, pasi mami nuk ka dashur që babi të hyjë në burg”, shton 12-vjeçari.

Përveç dhimbjes për të ëmën, 12-vjeçari kësaj here është përballuar dhe me një dhimbje tjetër. Vëllai me të cilin ndante të njëjtën histori dhune, ka kaluar tashmë në anën tjetër. Për herë të parë është bashkuar me të atin.

Ngjarja ka tronditur në fakt jo vetëm të voglin, por edhe banorët e lagjes. Mrika Prenga, fqinjë e familjes nuk arrin ta besojë atë çfarë ka ndodhur: “Vojsava vinte rregullisht në kishë dhe u habita kur dëgjova lajmet. Babë e bir që dhunojnë gruan e shtëpisë, është e turpshme.”

Prerja e flokëve ia ka shuar makabritetin ngjarjes, por sipas një fqinji tjetër, Nikoll Pacani, asgjë në këtë histori nuk ka të bëjë me Kanunin: “Gruas i priten flokët kur ka bërë diçka të pahijshme që e dinë të gjithë dhe jo sepse shkon në kishë.”

12-vjeçari nuk di çfarë të bëjë në shtëpi. Ai vret kohën në pritje të nënës e cila ka shkuar në punë për të siguruar rrogën e plotë mujore, të vetmen të ardhur me të cilën jeton familja.

Babai dhe i ati ndodhen në paraburgim. Nesër, gjykata do vlerësojë nëse ata do të mund të kthehen më në shtëpi. 12-vjeçari pak di nga ligjet apo nga Kanuni. Ajo çfarë do të dijë ai, është se çfarë do të ndodhë me familjen e tij.

/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button