Konica – viktimë mëkatesh shqiptare

Është e njohur se Faik Konica i ka sfiduar gjatë gjithë jetës njerëzit që i fshehnin mendimet duke i mbështjellur ato me akrobatika shumëkuptimësishë. Për të: të thotë njeriu çiltas ç’ka në mëndie, edhe në qoftë se një mik a gjithë miqtë mendojnë ndryshe, është një shënjë ngjallje për Shqipërinë…

Duke ndjekur këtë parim, Ai goxoi ta shprehë mendimin edhe mbi poezinë dhe figurën e paprekur gjer atëherë të Naim Frashërit, me çrast tha se Naimi jo vetëm nuk ish vjershëtor as shkrimtar i math, po nuk ish as i vogël, nuk dinte të shkruajë fare…

Është kjo thënia më e përfolur e Konicës, preteksti kyç i vënies së emrit të tij në shkallë mosqënie të plotë, “mëkati” që, në fakt, nuk i kalon caqet e lirisë së shprehjes.

Pikërisht kjo më shtyri të kërkoj shkaqet që bënë Faikun të tërhiqet nga konstatimi i tij i mëhershëm  mbi lulet gracioze dhe të freskëta të Naimit, të cilët po i sjell përmbledhtas në vijim:

E para: Ajo që mund ta ketë shtyrë Faikun ta bëjë prononcimin diskutabil për Naimin mund të jetë temperamenti i tij i vrullshëm dhe ndoshta xhelozia, për ç’gjë hedh dritë edhe një studim i hershëm i Arshi Pipës, ku, ndërmej tjerash thuhet se Konica, për shkak të pasjonit dhe natyrës prej aristokrati, nuk mund të shifte tjetër kë sipër vehtes…

E dyta: Në një letër dërguar Asdrenit, Konica ndriçon shkaqe të tjera që e futën në duele me Naimin, 30 e ca vjet pas vdekjes së tij. Ato lidhen me ngritjen e poetit në ikonë nga ana e ca krijuesve mediokër, gjë të cilën Faiku e shihte si fenomen anakronik. Për të tillët, shkruan Ai: duhet të unjësh kokën përpara Naimit, për ata Naimi është kryeja e fundi i Shqipërisë… Këta egërsira e kanë bërë Naimin Krisht edhe veten e tyre apostuj, që të shajnë po mendove ndryshe…

Pra: më shumë se kundër Naimit, Faiku ishte kundër tipave që shtireshin si pasardhësit e tij në fushë të artit e të atdhetarisë. Natyrisht, kjo nuk e justifikon nënçmimin që Faiku ia bëri veprës dhe personalitetit të Naimit, sepse ai nuk mund të kishte faj për gjërat që i bënin të tjerët duke ia instrumentalizuar dhe keqpërdorur figurën për qërime hesapesh të ndryshme me oponentët politikë e ideorë…

E treta: Një tjetër shkak i mundshëm i modifikimit të qëndrimeve të Faikut ndaj veprës së Naimit mund të kërkohet në letrën që vëllezërit Frashëri ia dërgojnë Murat Toptanit, ku shkruajnë se Faiku paska prej ambasadorit otoman në Bukuresht, që qeveria t’i japë leje ta fusë lirisht në Turqi gazetën e tij dhe, kundrejt këtij nderi që do t’i bëhej, i premtonte qeverisë këto shërbime: 1) të bëhej vegël e mjet që shqiptarët të dërgonin armët; 2) të prishte alfabetin që është përhapur në Shqipëri; 3) të orvatej që të mbylleshin shkollat e hapura në Shqipëri dhe të mos hapen të tjera më vonë; 4) në qoftëse është dëshira e qeverisë të shkruhet e të mësohet shqipja, të propagandohej përdorimi i gërmave turqisht për shqipen…

Sipas Naimit e Samiut kjo e bënte të qartë shkakun përse Faiku nuk e pranonte alfabetin e tyre…, ndaj kërkojnë: të rruheni fort e fort që të mos bëheni vegël e intrigave të një njeriu tradhtar e dinak si Faiku dhe t’i ngulni thikën mu në zemër kombit…

Ka të ngjarë që kjo akuzë e rëndë të ketë rënë në veshin e Konicës, ndoshta përmes vetë Murat Tioptanit, me të cilin ai kishte raporte të mira, bindje kjo që vin e forcohet nga kundërakuza e Konicës, sipas së cilës: Naim beu dhe Sami beu edhe raportin me të tjerët e ndërtojnë, sipas faktit se sa këta e përfillin në botime alfabetin e tyre

Përndryshe, letra e dy vëllezërve Frashëri është përplot akuza edhe në llogari të De Radës dhe veprimtarëve arbëresh të Italisë: Ai që do t’i shërbejë Shqipërisë e shqipes duhet të bashkohet me shoqërinë… (shoqërinë e Stambollit – F.S.), kush ndjek rrugën tjetër s’është yni…, gjë që gati i vë vulën të vërtetës së njohur se kemi të bëjmë me një luftë për prestigj mes shoqërive e kolonive shqiptare të kohës, kur gjithsecili mendonte se ka zgjedhur udhën më të drejtë për formimin e shtetit shqiptar.

Shkaku i katërt dhe për mendimin tim më i besueshmi që lindi mosdurimin reciprok ndërmjet Naimit dhe Faikut lidhet me konceptin e këtij të fundit mbi kritikën letrare, ndaj është e udhës që para se t’i hyhet gjykimit rreth fajit që bëri Konica në kontekst të veprës dhe personalitetit të Naim Frashërit, të shpalojmë disa elemente të këtij koncepti.

Sipas Konicës: kritika lerare është subjektive… është vetëm një përshtypje… Ka një methudë më vete. Kjo methudë është përqasja. Kryeveprat janë pikët e përkrahjes, pas të cilave, shpesh edhe pa ditur vetë, kritikëtari gjukon veprat e rea… Për të: atëdhesia dhe letrëtyra ishin dy gjëra tw ndryshme…

Sado që në shkrimin e Konicës për poezinë e Naimit nuk ka përpjekje serioze përqasjeje me ndonjë kryevepër të njohur, duket qartë se Ai e ka kundruar atë jashtë kontekstit kohor e hapësinor, pa pasur parasyshë porosinë që e jep vetë në fillim të shkrimit me titull Të vëna re, ku thotë se: madhësia e veprës së Naimit munt të matet vetëm kur të marrim nër sy gjerësin’ e fushës së lënë pesëqind vjet ugar…

Pra, Konica ka gjykuar mbi veprën e Naimit duke pasur parasyshë veprat që edhe sot përbëjnë kajmakun e letërsisë botërore e të cilat ai i kishte lexuar në origjinalin e tyre.

Përpjekja për t’iu përgjigjur pyetjes së mbetur hapur: Përse Konica nuk i respektoi të njëjtat parime edhe kur shkroi për veprën e Çajupit, Asdrenit, Murat Toptanit e disa të tjerëve?, na shpie pashmangshëm tek komedia e kuteve të dyfishta nga e cila, sot e gjithë ditën, vuan pjesa dërmuese e kritikës letrare. Së këndejmi, mund të themi se mendimet e shprehura të Konicës për Naimin vërtetojnë dy gjëra: 1) se kritika letrare është subjektive dhe 2) se edhe Konica nuk bën përjashtim nga pothuajse gjithë kritikët e tjerë, që veç studimeve të arrira kanë ditur të ngrenë në qiell edhe emra që ndërkohë i ka fshirë historia dhe kanë heshtur ose janë përpjekur t’humnerosin vlera të mirëfillta që edhe pa ndihmën e kurnjë kritike i kanë rrezistuar dhe vazhdojnë t’i rrezistojnë dhëmbit të kohës. Shembuj të këtillë kemi me dhjetra…, po kjo është temë tjetër që kërkon kohë të veçantë elaborimi…

Në fund fare, them se mohimi i talentit poetik të Naimit nga ana e Faik Konicës do të përfolet edhe më tutje. Dhe kjo është shumë e natyrshme. E panatyrshme është akuza që i bëhet Faikut shkaku pse e shprehu lirshëm mendimin, shkaku se iu shfaq publikut shqiptar ashtu siç ishte: pa pudra e makiazhe, pa parfume e erëra artificiale që nuk i duronte dot.

Është vështirë të besohet se Faiku nuk ishte koshient për pasojat kur vendosi ta shprehë haptaz atë që e shprehu për Naimin, po sigurisht nuk i ka vajtur mendja se ka bërë një herezi që do të lidhet përjetësisht me emrin, moralin dhe kompetencën që pati si erudit e estet i kalibrit evropian. Fundja, Ai tha diçka që korrespondon me konstatimet e ndërdhëmbshme të disa studiuesve që jo një herë e kanë theksuar të dhënën se Naimi do të krijonte vlera më të arrira po të mos kishte për qëllim zgjimin e ndërgjegjes së fjetur dhe vetëdijes kombëtare shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button