Kompanitë dhe OJQ­-të e intensifikojnë bashkëpunimin

­ Sektori i biznesit gjithmonë është i gatshëm të mbështesë nisma të mira nga organizatat e shoqërisë civile, por ato nuk janë sa duhet aktive ose janë pak të informuara rreth mundësisë për të fituar donacione, u theksua në takimin e sotëm që e organizoi Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) dhe Fondacioni Albiz. Edhe sektori joqeveritar vlerëson se marrëdhëniet me bashkësinë e biznesit duhet të thellohen, para së gjithash në drejtim të ndërtimit të besimit dhe bashkëpunimit më të madh.

Kompanitë të cilat, sipas hulumtimeve në nivel botëror, në të ardhmen do të jenë financues/donatorë kryesorë të organizatave joqeveritare, theksojnë se në vend se mjetet drejtpërdrejt t’u jepen personave fizik, siç është rasti tani, duhet të realizohen në mënyrë institucionale.

“OJQ sektori nuk ka aplikuar me projekte të mira, konkrete te bashkësia e biznesit. Nëse e bëjnë këtë, me siguri do të merrte mbështetje pavarësisht asaj se për cilën sferë bëhet fjalë. Për momentin, më së shumti donacione jepen për qëllime humanitare, ndërsa i pranojnë drejtpërdrejtë personat fizik. Më pas, prijnë bashkësitë fetare dhe manifestimet kulturore, ndërsa më pas janë organizatat joqeveritare. Tek to bëjnë pjesë vetëm dhjetë për qind e donacioneve të përgjithshme të cilat ndahen në përgjithësi në sektorin civil”, deklaroi drejtori ekzekutiv i Albiz, Ilir Idrizi.

Përfitimin të cilin e realizojnë kompanitë, potencoi Idrizi duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, duhet ta kthejnë në shoqëri dhe atë e bëjnë vazhdimisht, por jo në mënyrë institucionale.

Milaim Ameti nga OEMVP theksoi se mbështetja nga donatorët e huaj, siç është e BE­-së përmes fondeve IPA, me kohë do të zvogëlohet, ndërsa do të rritet ajo nga sektori i biznesit.

“Prandaj, rekomandimi është që OJQ ngadalë të drejtohet nga burime të tjera të mjeteve, ta përforcojë bashkëpunimin me bashkësinë e biznesit. Në këtë mënyrë, përfitimi do të ishte i dyfishtë dhe sektori civil do t’i financonte aktivitetet e veta dhe kompanitë do ta realizonin përgjegjësinë e tyre shoqërore”, tha Ameti.

Sipas tij, nga takimet e deritanishme të cilat i ka relizuar Oda me OJQ, është përcaktuar se të dyja palët nuk janë të njoftuara mirë me rrethanat lehtësuese, gjegjësisht lirimet prej tatimeve, të cilat i ofron Ligji për donacione dhe sponsorime. Duhet punuar, theksoi, edhe në këtë drejtim.

Me takimin në Shkup, OEMVP e përmbylli pjesën e parë të projektit për qëndrueshmëri financiare të OJQ­ve. I presin, siç paralajmëroi, trajnime me organizatat e shoqërisë civile për bashkëpunim konkret.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button