Fondet IPARD 2, mbi 25 milion euro më pak për bujqit
25,3 milionë euro më pak janë planifikuar për fondet IPARD 2 në krahasim me IPARD 1, theksoi Biljana Kostovska, përfaqësuese e Ministrisë së Bujqësisë. Sipas saj, Komisioni Evropian me IPARD 2 ka paraparë 60 milionë euro për periudhën 2014-2020, ku deri tani janë shfrytëzuar vetëm 15 për qind nga ky fond, njofton TV21.
Ministria e Bujqësisë theksoi se arsyeja kryesore e shkurtimit të mjeteve është se nuk janë shfrytëzuar paratë, pasi që bujqit kanë probleme me sigurimin e dokumentacionit për pronësinë e tokave, për mungesë të sistemit të ujitjes si dhe për mosplotësimin e disa parakushteve bazë për të përfituar para nga IPARD fondet.
Deputetja e LSDM-së, Lidija Dimova thotë se Maqedonia ka humbur 24 milionë euro të pashfrytëzuara për zhvillim rural, për shkak të keqmenaxhimit dhe papërgjegjësisë.
Nga Ministria e Bujqësisë informojnë se në kuadër të projektit “Njohja me masat e reja IPARD” nga vjeshta do të publikohen thirrjet publike nga Programi IPARD 2, ndërsa u bëhet thirrje bujqve dhe prodhuesve bujqësor që të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë këto fonde.