Thaçi: Duhet të zbardhet fati i të gjithë të zhdukurve të çfarëdo komuniteti

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot me rastin e 17 vjetorit të vdekjes së 14 qytetarëve serbë të cilët ishin vrarë menjëherë pas luftës së vitit 1999, në fshatin Grackë të Lipjanit, vendosi kurore lulesh në memorialin e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca thuhet se Thaçi ka quajtur këtë veprim jo vetëm kundër viktimave që kanë qenë duke punuar në arë, por edhe kundër lirisë Kosovës dhe të ardhmes së saj demokratike.

“Sot lutem me dhimbje dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat gjatë dhe pas luftës, të të gjitha komuniteteve. Çdo krim duhet të zbardhet dhe të ndëshkohet. Krimi është krim kundër kujtdo qoftë të jetë bërë apo nga kushdo qoftë që është kryer”, është shprehur presidenti Thaçi.

Thaçi gjithashtu vuri theksin në atë se duhet të zbardhet fati i të gjithë të zhdukurve të çfarëdo komuniteti, si të shqiptarëve ashtu edhe të serbëve apo të romëve.

“Të gjithë kemi përgjegjësi të punojmë në këtë drejtim. Kemi përgjegjësi para familjeve të tyre dhe të ardhmes së fëmijëve tonë. Ne duhet ta ndihmojmë njeri-tjetrin. Dhimbja e çdo nëne është e njëjtë për humbjen e familjarëve të vet”, ka shtuar Thaçi.

Ai u shpreh se që nga paslufta, këto 17 vite Kosova ka arritur shumë, dhe shtoi se punojnë për të ndërtuar paqe, për pajtim dhe bashkëpunim në mes të popujve të rajonit.

“Vetëm pajtimi dhe bashkëpunimi e bën Kosovën dhe rajonin vërtetë europian”, ka shprehur në fund Thaçi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button