Qytetarët e Shqipërisë solidarizohen me Turqinë pas tentativës për grusht shteti

Pas tentativës për grusht shteti nga FETÖ ka patur reagime solidarizuese nga e gjithë bota në mbështetje të popullit turk dhe institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike të Turqisë.

Ndërkohë një mbështetje e tillë ka ardhur dhe nga drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, por edhe nga qytetarët e Shqipërisë, që janë solidarizuar me popullin dhe shtetin turk.

Festim Kalemi një qytetar nga Tirana, duke folur për Anadolu Agency (AA) shprehet se zhvillimet e fundit në Turqi i ka ndjekur me vëmendje.

“Duke patur parasysh zhvillimet në Turqi mendoj se kjo e keqe që i ka rrënjët e thella dhe që ka organizuar puçin duhet të shkulet. Jemi në solidaritet me popullin dhe qeverinë turke. Me masat e shpejta iu është dhëna përgjigja atyre që tentuan të prekin sistemin demokratik. Edhe këtu në Shqipëri, jo vetëm shteti, por të gjithë qytetarët duhet të jenë vigjilent pasi kemi detyrime kundrejt sigurisë së vendit tonë dhe përgjegjësi si shtet kundrejt partnerëve siç është Turqia, që ne si vend kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe vëllazërore”, u shpreh Kalemi.

Ndërsa reagimin e popullit turk ai e konsideron si një veprim solidar dhe të shkëlqyer për të mbrojtur sistemin demokratik, për të mbrojtur sipas tij të sotmen dhe të ardhmen e tyre, të fëmijëve të tyre, sigurinë e kombit të tyre dhe të rajonit.

Ndërsa Lulzim Gardivolli po nga Tirana shprehet se nuk ka vend për puç ushtarak në një vend demokratik. “Popullin turk ne e kemi popull mik dhe vëlla dhe solidarizohemi me këtë shtet dhe qytetarët e Turqisë që dolën kundër kësaj tentative të jashtëligjshme, pasi çdo gjë është me votë jo me puç ushtarak”, ka shtuar ai.

Robert Arapi është një tjetër qytetar nga Tirana që tregon se i ka ndjekur zhvillimet në Turqi gjatë dhe pas tentativës për grusht shteti dhe ai thekson se i jep plotësisht të drejtë popullit turk me reagimin e tij. “Populli shqiptar është solidarizuar, gjithashtu edhe udhëheqësit politikë reaguan, duke shprehur solidaritetin e tyre. Ndërkohë edhe gjithë vendet e Evropës, por edhe botës duhet të solidarizohen me Turqinë. Populli turk u doli në mbrojtje institucioneve”, shprehet për AA Arapi.

Ndërkohë pas tentativës për grusht shteti në Turqi ka patur reagime solidarizuese nga drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, si nga Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta. Gjithashtu dhjetëra qytetarë shqiptarë të ardhur nga disa qytete të vendit, si dhe qytetarë turq që jetojnë në Shqipëri organizun më 17 korrik një tubim solidarizues për Turqinë dhe udhëheqësit e saj pas tentativës për grusht shteti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button