Thaçi: Demarkacioni duhet ta bashkojë spektrin politik
“Kjo çështje duhet ta bashkojë spektrin politik dhe në asnjë rrethanë të mos ketë dilema apo interesa të politikës ditore, në vend të axhendës shtetërore euro-atlantike të Republikës së Kosovës. Mua më mban shpresa dhe optimizmi se spektri politik do të veprojë drejt dhe se kjo çështje do të mbyllet në interes të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Mbështetjen time si President, do ta kenë të qëndrueshme”, u shpreh presidenti Thaçi.
Sa i përket çështjes rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Thaçi theksoi se ai vetë ka qenë inicues për zhvillimin e dialogut dhe vetë ai që ka nënshkruar shumicën e marrëveshjeve për paqe dhe stabilitet në mes të këtyre dy shteteve.
“Ajo se çka tash ne duhet të fokusohemi është implementimi i marrëveshjeve. Ne si Kosovë, sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe themelimit të bordit menaxhues, duhet të respektojmë plotësisht vendimin e gjykatës kushtetuese të Kosovës për themelimin e asociacionit, sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, duke nënkuptuar se nuk do të ketë asnjë element legjislativ dhe ekzekutiv. Ndërsa edhe Serbia t’i kryejë obligimet e veta, sa i përket tre çështjeve të tjera që kanë mbetur, sa i përket urës në Mitrovicë, energjisë dhe telekomunikacionit”, u shpreh Thaçi.
Presidenti gjithashtu shprehu besimin se është krijuar një momentum i ri, ku duhet të lëvizë edhe Kosova por edhe Serbia drejt një marrëveshjeje më të madhe dhe më të gjerë të kornizës politike, për të krijuar një fqinjësi të mirë, për pajtimin e kombeve dhe të shteteve, por edhe për një bashkëpunim në interes të të dy vendeve që lidh drejtpërdrejtë me standardet dhe vlerat evropiane.