Lëvizja BESA: Qeveria i detyron qytetarët të përmbyten në kredi

“Qytetarët e Maqedonisë prej vitit në vit po fundosen ekonomikisht dhe gjendja e tyre për çdo vit po vështirësohet më shumë, ashtu që tash qytetarët po ballafaqohen me probleme të mëdha ekonomike, që reflektohen edhe në shportën e konsumit, faturat e papërballueshme dhe probleme të tjera ekzistenciale. Për këto arsye qytetarët shumë e më shumë po ia mësynë sporteleve bankare për të marrë kredi për t’i mbuluar nevojat e tyre elementare, siç janë harxhimet mujore. Prandaj Lëvizja BESA është thellë e shqetësuar për ketë gjendje, aq më shumë që informacionet dhe të dhënat flasin se qytetarët e Maqedonisë për 7 vite i kanë dyfishuar kreditë e tyre. Kështu në vitin 2009 kreditë e qytetarëve në bankat vendore kanë qenë një miliard euro, kurse tani ua kanë dy miliardë euro borxh bankave vendore, ndërsa kjo po rritet për çdo ditë”, thuhet në kutemsën e Lëvizjes BESA.

Për këtë arsye Lëvizja BESA apelon deri te qeveria e Maqedonisë, e përbërë nga, siç shkruhet në kumtesë, çifti VMRO-BDI, që të zbresë nga retë dhe t’i shohë problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët dhe t’ua zbusë gjendjen atyre, për çka ata janë zgjedhur dhe i kanë marrë mandatet.

“Platforma ekonomike e Lëvizjes BESA jep zgjidhje për problemet ekonomike të qytetarëve, që sipas nesh realizohet me investime te huaja direkte dhe mbështetje institucionale ndaj bizneseve vendore, gjë që do të sjellë uljen e papunësisë dhe njëkohësisht mirëqenie ekonomike. Lëvizja BESA zotohet se, në momentin kur qytetarët do na e japin besimin, do të angazhohet me gjithë kapacitetin intelektual e profesional për ta jetësuar platformën e saj ekonomike”, shtojnë nga Lëvizja BESA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button