Shkup, bisedimet politike edhe sot përfunduan pa marrëveshje

Pas bisedimeve të mbrëmshme mes katër partive politike në Maqedoni, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës të cilat u mbajtën në Rezidencën e Ambasadorit të SHBA-ve, sot vazhdon raundi i ri i bisedimeve por në lokacion tjetër, gjegjësisht në Klubin e deputetëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Para fillimit të takimit tre nga katër liderët dhanë deklarata për mediat për pritjet e tyre nga bisedimet e sotme.

Radmilla Sheqerinska nga opozita maqedonase Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) tha se ajo çfarë po ndodh në dy muajt e fundit bëhet e qartë se VMRO-DPMNE-ja i shmanget zgjedhjeve fer, të rregullta dhe demokratike, ikë nga Marrëveshja e Përzhinës, ikë nga zbatimi i gjithë asaj që është premtuar edhe gjatë vitit të kaluar por edhe këtë vit.

“Për shkak të kësaj ata i ndryshonin ligjet që kanë të bëjnë me ministrin e Punëve të Brendshme dhe për shkak të kësaj problematizonin të gjitha çështjet të cilat ishin mbyllur në vitin 2015. Në bisedime nuk është poenta të jeni kokëfortë, me rëndësi është të dini çka është e nevojshme jo neve as cilës do parti politike por ajo që u duhet qytetarëve të Maqedonisë dhe këtij shteti. Tejkalimi i krizës dhe zgjedhje fer dhe demokratike, gjithçka nën këtë për ne është e papranueshme. Megjithatë, të gjitha idetë që mund të na sjellin deri tek zgjedhjet fer dhe demokratike dhe deri te zgjidhja e krizës e cila këtij shteti dhe qytetarëve u mori shumë kohë e gjithë ajo vlen të shqyrtohet”, tha Sheqerinska.

Nikolla Todorov nga partia në pushtet VMRO-DPMNE-ja theksoi se sot të gjithë do të përpiqen të arrijnë deri tek marrëveshja sepse të gjitha partitë bëjnë përpjekje që të ketë marrëveshje, sepse ajo është në interes të qytetarëve dhe përfundimit të krizës, por atë që e ka pala tjetër, siç tha, është refuzim i vazhdueshëm i të gjitha propozimeve nga ana e LSDM-së.

“Në përgjithësi bisedohet për dy çështje. E para, pas përfundimit të zgjedhjeve të përfundojë edhe e ashtuquajtura Qeveria e Përzhinës. Asgjë kontestuese nuk ka këtu. Dhe e dyta, të mos mund të bëhen pastrime masovike partiake dhe keqpërdorim i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) gjatë këtyre 100 ditëve. Këto janë dy çështjet të cilat duhet të sigurohen”, theksoi Todorov.

Artan Grubi nga partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) para fillimit të takimit tha se bisedimet po zhvillohen në atmosferë shumë pozitive duke theksuar se partitë janë afër marrëveshjes.

“Shpresoj se marrëveshje do të arrijmë sot ose nesër dhe kjo do të thotë se data e vetme për mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit është 11 dhjetori sepse të gjitha datat tjera janë të pamundshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Shpresoj se dy partitë politike LSDM dhe VMRO-DPMNE do ta tejkalojnë veten sepse dallimet janë minimale dhe sot ose më së voni nesër do të arrijmë marrëveshje që zgjedhjet të mbahen në datën e lartpërmendur”, deklaroi Grubi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button