Akademik Luan Starova, dhuroi qindra libra për ITSHKSH-në
Shkrimtari i njohur, akademik Luan Starova, sot vizitoi Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, me ç’rast bibliotekës së Institutit i dhuroi qindra botime nga biblioteka e tij e pasur personale.
Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se ky është një gjest i jashtëzakonshëm i një shkrimtari dhe akademiku të shquar, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë e ndihmon zhvillimin e shkencës së albanologjisë dhe gjeneratave të reja të letrarëve dhe shkencëtarëve, u ofron një mundësi më tepër për hulumtime dhe studime. Sipas Asanit, ky fond i madh i librave do të sistemohet në një fond të veçantë libror në bibliotekën e ITSHKSH-së, i cili do të mbajë emrin e akademikut Luan Starova.
Ndërsa, vetë akademik Luan Starova theksoi se ndjehet i impresionuar nga puna dhe aktiviteti i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup vitet e fundit, prandaj ka vendosur që një sasi të madhe të librave të tij nga biblioteka personale, t’ia dhurojë këtij Instituti. “Kjo është pjesa e parë e librave, kurse do të pasojnë edhe dy turne, me ç’rast do të dhuroj librat e korpusit dokumentaro-shkencor, dhe në fund i gjithë fondi i librave të mi autoriale të botuara nëpër dhjetëra gjuhë të botës”, theksoi akademik Starova.
Pra, në të ardhmen, në bibliotekën e ITSHKSH-së do të krijohet fondi libror “Akademik Luan Starova”, ku do të jetë një pikë referenciale për gjithë veprimtarinë letrare e botuese të Starovës. Pa dyshim, është ky një gjest i cili do të duhet të pasohet edhe nga intelektualë e institucione të tjera relevante të fushës së shkencës e kulturës.