Filluan gërmimet për varrezat e dyshuar në Kampusin e Univesitetit të Prishtinës

Departamenti i Mjekësisë Ligjore sot ka filluar gërmimet për varrezat e dyshuar në Kampusin e Univesitetit të Prishtinës, afër kishës Ortodokse në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gërmimet po bëhen me praninë e ekspertëve nga EULEX’it dhe të KFOR’it ,si dhe të delegacionit nga Serbia, të cilët përcjellin punën dhe zhvillimet e hulumtimit.
Punimet e para kanë filluar në pjesën e cila gjendet në mes të Kishës Ortodokse dhe të Fakultetit të Edukimit, kurse edhe një pjesë tjetër, ajo që ndodhet prapa rektoratit të Universitetit të Prishtinës është i rrethuar dhe pritet që të gërmohet.

Prokurori Elez Blakaj ka konfirmuar për media se në bazë të deklaratave të dëshmitarëve tashmë kanë filluar gërmimet, për të kryer hulumtime nga ekspertët mjekor dhe ligjor dhe patologët. Ai shtoi se hulumtimet do të zgjasin për aq kohë sa është e nevojshme .

Koordinator i Shoqatës së Familjeve të Personave të Zhdukur në Kosovë, Bajram Qerkini u shpreh se nuk duhet të nxitohet, sepse familjarët shqetësohen dhe zhgënjehen, meqë pas 17 vjete ende nuk kanë përfunduar hetimet gërmuese.

“Unë si familjar jam i zhgenjyer, i prekur dhe mërzitur, për shkak se pas 17 vjete në Kosovë në qendër të Prishtinë gërmohet. Asnjë fjalë nuk mund të thuhet se janë 2 apo më shumë, dalin apo nuk dalin varrezat. Dyshimet e qytetarëve duhet të shlyhen” u shpreh Qerkini.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj u shpreh se deri më tani nuk ka ndonjë gjetje, dhe se kjo është faza e parë e vlerësimit, pas së cilës nëse ka gjetje mortore atëherë do të bëhen vlerësimet profesionale arkeologjike.

“Pala e Beogradit është njoftuar për kohën dhe vendin për të qenë pjesëmarrës, sikur në rastet e tjera. Besoj që ky bashkëpunim do të ndihmojë në uljen e tensionimit të problemeve, që lokacionet të dyshuara të mos politizojnë, nuk çështje nuk ka të bëjë me politikën”,u shpreh Gjetaj.

Gjetaj bëri të ditur gjatë këtyre gërmimeve asnjë objekt institucional dhe fetar nuk do të dëmtohet.

Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur të Qeverisë së Serbisë, Veljko Odaloviq ka thënë se zgjidhja e fatit të të pagjeturve është një çështje e ndjeshme dhe se duhet të vlerësohet nëse ka varreza në këtë vend. Ai theksoi se edhe vendi ku bëhen gërmimet është i ndjeshëm, meqë ndodhet pranë kishës së papërfunduar Ortodokse, në qendër të Prishtinës.

“Thjesht nuk duhet të mbetet e pa ditur , në mënyrë sa më të shpejt që është e mundur duhet të dalë në publik. Mbështes dhe kam pëlqimin e ushtruar për kërkimet në këtë vend dhe unë mendoj se kjo është një qasje e përgjegjshme për të gjithë ne” u shpreh Odaloviq.

Në hulumtim i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviç, i cili u shpreh se këto dyshime për varrezë masive në afërsi të Kishës Ortodokse serbe “Shën Nikolla”, në kampusin e Universitetit të Prishtinës janë politizuar. Sipas tij, arsyeja e këtij politizimi është Kisha Ortodokse, e cila është ndërtuar në kohën e Sllobodan Millosheviçit. Stojanoviç shtoi se pas përfundimit të gërmimit do të përfundojnë edhe punimet e kësaj kisheje.

Hulumtimet kanë filluar pas informacioneve dëshmitarëve, qytetarë të Prishtinës, të cilët kanë informuar se në këtë vend mund të ketë varreza masive. Nuk ka informacione të sakta se kur do të përfundojnë gërmimet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button