Rrëfime të lehta për një qytet-Kasaba (1)

Ndodhi një ditë, spontanisht, një kredhje mbi opusin publicistik, të krijuar në dhjetëvjetëshin e fundit… M’u kujtua, si në shirit, veprimtaria të cilën e kisha nxjerr në letra, do vite më parë, për shtegtimin e Skënderbeut mbi kalë nga bronzi mes përmes luginës së Pollogut dhe vendosjen e tij në anën e majtë të Vardarit, që quhet Shkupi shqiptar. Njëherazi kisha biseduar me historianin Vebi Xhemaili, për kalërimin e Skënderbeut, me qindra ushtarë, pesë shekuj e ca më parë, nëpër “xhadenë e Stambollit” (Via Ignacia), shtigjeve të Grykës së Dervenit, Zhelinës dhe varg e vistër vendbanimesh të tjera ilire, për të dalë në Gradec, pastaj në Dibër dhe Krujë. Para një përkushtimi të këtillë krijues, kisha takuar në fillim-shekulli Valdete Derallën, mbesën e Mehmet Pashë Derallës, gjeneral ushtarak dhe ministër i parë i Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit, për një bisedë të hapur në Tetovë, në qytetin e saj të lindjes. Ndërkohë, kisha shkëmbyer mendime me Suat Ramadanin, stërnip i kolosit Sheh Mustafa –Tetova, i cili ishte njeriu i dytë i Lidhjes së Prizrenit, “ambasador” shqiptar në vijën diplomatike Stamboll-Prizren, para dhe pas vitit 1878. Në shenjë mirëbesimi, më kishte shfletuar do “materiale”, pinjolli i familjes së pashallarëve, Namikqemal Mustafa, në lidhje me prejardhjen dhe luftën atdhetare të Abdurrahman Pashës në Tetovë, përballjen me Sulltanin që e syrgjynosi në Anadoll, për çështjen shqiptare. Kam ndenjur me atdhetarin shqiptar, Abdulla Jusufi, i biri i Hafëz Xhemil Efendiut, patriot i shquar nga Tetova, ligjërues në kohë turku në Universitetin e Stambollit, i cili në një moshë të thyer në vendlindje ishte dënuar me burg nga komunistët, për veprimtari kombëtare. Në këtë listë të personaliteteve të shquara, të atdhetarëve e nacionalistëve shqiptarë, me shpirt e zemër për flamurin dykrenor të Skënderbeut, për një Shqipëri të vetme e të pavarur, kanë qenë edhe një numër bukur i mirë i tetovarëve nga e kaluara, që kanë zënë vend në librin publicistik “Distinktivi tetovar”.

Obsesioni për sfidat kohore

Pa mëdyshje që Tetova ndër shekuj ka pasur trima e atdhetarë të këtij kalibri, që i lindi nëna shqiptare. Të shkruash për ta, kushtimisht thënë, është një punë e nderuar, sepse “aftësinë” për letra do e vulosin paksa ngjarjet e mëdha dhe personalitetet e shquara, që vetvetiu flasin. Por, po rastisi puna të shkruash për “tema të lehta”, siç do të thoshte doajeni i gazetarisë kosovare, tashmë i ndjeri Maksut Shehu, do përballesh me një sfidë të madhe si gazetar. Është e vështirë, pra, nga të mbërthehet një temë e tillë paksa efemere, si të transponohet në letër, si të mbahet interesimi i lexuesit, si të ngrihet niveli, kriteri dhe kodi përshkrues, ngjyrimi dhe stili artistik…

Kjo është, pra, dilema, aq më shumë kur është në opsion vetëm kujtesa, për do ngjarje të largëta, të fëmijërisë; për disa persona, njerëz të rëndomtë, tetovarë, që kanë pasur një botë thuajse amorfe të jetës, por të rëndë e shpesh të përbuzur. Megjithatë, s’mund të evitohet  “ballafaqimi” me këta njerëz, qoftë në letra, në një distancë bukur të largët kohore, me një ndjesi të kujdesshme, pa prekur sedrën e dikujt. Shtytja në këtë përballje, është opsesioni për të afruar dhe ripërtërirë kohën e perënduar, me tërë mozaikun dhe duhmën njerëzore të tetovarëve, në qytetin – Kasaba, ashtu si frymonte nga mesi i shekullit të kaluar, një periudhë e pa njohur sa duhet për do breza.

Protagonistët, në këto rrëfime të lehta, u takojnë shtresave të ulëta të shoqërisë, disa edhe me do të meta që i ka falur Zoti, por ata me praninë e tyre të përditshme mes njerëzish: në rrugë, kafene dhe ambiente të tjera, kanë dalë shumë të dashur, ndonëse ka pasur edhe të tillë që nganjëherë kanë bërë ndonjë shpoti me ta. Ky kapitull i ngjarjeve dhe i personaliteteve në qytetin – Kasaba, në Tetovën e pas viteve 1955, ka mbërthyer personazhet e rrëfimeve që më shpërthejnë, të cilët, disa prej tyre, mbanin do emra të çuditshëm: Muu’Tafa, Lazi Buba, Laske Përr, sikundër që kanë qenë më vonë edhe disa të tjerë si Baci, Shabani, Afeti, Xhemaliu etj., të cilët kanë mbetur në rradaken e brezave më të vjetër, si njerëz me shumë simpati, që jepnin një ngjyrë të veçantë koloritit social të Tetovës.

Simfonia e urisë në furrën e bukëpjekësit Selam

Nostalgjia, ndodh, nganjëherë, të pushtojë njeriun për momente të caktuara në jetë: për të kaluarën, rininë, fëmijërinë, për vendlindjen dhe mëhallën, për gurin e sokakut, njerëzit, për gjithsecilin që ka lënë gjurmë në një pjesë të jetës. Ata, njerëzit, kundruar nga një distancë kohore, përjetohen si qenie më të dashura sesa që kanë qenë në të vërtetë. Kështu rrjedhin ndjenjat, të strukur në parzëm, në këtë hark kohor, të perënduar, për njerëzit dhe ngjarjet e një kohe të tretur. Ashtu si po hedhin krah kujtimet për kohën e shkuar, më vjen një shkrirje nostalgjie për gjëra të thjeshta, të rëndomta, të përditshme, si, bie fjala, për Furrën e dikurshme të bukës, përballë derës së Xhamisë së Gamgamit në Tetovë, shumë afër shtëpisë së lindjes, pranë lumit Shkumbin. Xhamia kishte marrë emërtimin nga nofka Gamgam, sipas një familjeje të vjetër tetovare, me shtëpi afër saj, e cila në vitet e ‘50-ta të shekullit të kaluar ishte shpërngulur në Turqi, por njihej si donatore për punët e ndërtimit. Nami i kësaj familjeje u rrit me kalimin e kohës, kështu që më vonë e tërë lagjja u quajt Mëhalla e Gamgamit, dyqanet e Gamgamit dhe bashkësia lokale e Gamgamit…

Qyteti, asokohe, nga vitet 1955-1960, ishte i vogël – kasaba, me afër 20-25 mijë banorë, që mund të kalohej skaj më skaj për jo më shumë se dhjetë minuta më këmbë. Rrugët kryesore ishin të shtruara me një kalldrëm të keq, jo gjithkund i rrafshët, ndërsa në rrugicat dytësore, aty-këtu ishin hedhur nga ndonjë gur të nxjerrë nga lumi Shkumbin, për të ecur më lehtë gjatë motit me shi, duke shkelur mbi ta maje gishtash. Rrugët e tjera ishin kryesisht me tokë, me shumë pluhur, ndërsa në pranverë e në vjeshtë nuk kalohej nga balta. Kjo ishte Tetova e atyre viteve të mes-shekullit të kaluar. Makina e automjete mund të numëroheshin në gishtat e dorës, ndërkaq po lakmonim edhe për ndonjë biçikletë.

Por t’i kthehemi bukëpjekësit Selam… Nga furra e tij vazhdimisht kundërmonte aroma e bukës së vrugtë. Instinkti i urisë dhe i skamjes përherë e bënte këtë furrë shumë tërheqëse për njerëzit e lagjes, sepse ajo i mbante gjallë. Aty piqej buka: e zezë, prej misri apo prej thekni. Mbanim, si fëmijë, me duar të brishta, tepsitë me bukë mbi kokë, duke ecur nëpër kalldrëmin e mëhallës në drejtim të furrës, shpesh duke i vrarë pahiri gishtërinjtë e këmbëve të zbathura në ata gurë të renditur pa ndonjë mjeshtri. Pas dy-tri orësh, me padurim, kthenim sërish për ta marrë bukën tashmë të pjekur. Ngandonjëherë, tinëz, këputnim gjatë rrugës një kafshore të ngrohtë, sepse nuk mund të qëndronim dot para sfidës së urisë.

Te furra e Gamgamit, një lokal i vakëfit, ku shumë vite më vonë u hap një mishtore e pastaj një dyqan bakalli, punonte bukëpjekësi Selam, një njeri që, në të parë, dukej i shtyrë në moshë, mbase për syrin e fëmijës; i pa ruajtur e i pa veshur si duhet, por ishte shumë i dashur, shpirtmirë e zemërmadh, dhe komunikonte me një fjalor të butë. Njerëzit nuk i thërriste me emrat që kishin, por i quante që të gjithë, pa përjashtim: “O Mall!” Edhe njerëzit e mëhallës dhe të tjerët që e njihnin, e thërritnin me këtë nofkë. Në vend të përshëndetjes, thoshin: “Ku je bre, Mall?” Se nga kishte dalë dhe si kishte mbetur kjo nofkë, nuk e kam të njohur.

Ai nuk i ngushtonte fëmijët që shkonin për ta marrë bukën nga furra, nëse nuk kishin para për të paguar shërbimin, por i ngushëllonte me fjalët: “Do t’i sjellësh nesër!”. Ky ishte një bukëpjekës i mirë, mjaft i njohur në Tetovë. Shpesh çonin njerëzit për të zier aty edhe gjellë për shujtat e ditës, me tenxhere, tavë apo vorbë të nxirë prej kohësh, kurse në të shumtën e rasteve në meny ishte grosha e njohur e Tetovës, mbretëreshë e ushqimeve, ajkë prej gjelle.

(Vijon)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button