Jolevski: Maqedonia meritoi anëtarësim të plotë në NATO
Republika e Maqedonisë e meritoi vendin si anëtare e barabartë e NATO-s, theksoi ministri i Mbrojtjes i Republikës së Maqedonisë, Zoran Jolevski, në takimet e sotme të ndara me ministrat e mbrojtjes të Turqisë, Estonisë, Italisë dhe Suedisë, në margjina të samitit të NATOs që po mbahet në Varshavë.
“Me ndërhyrjet e zbatuara reformuese, pjesëmarrjen në misionet paqësore të kryesuara nga Aleanca, interoperabilitetin e konfirmuar me Armatat e vendeveanëtare gjatë stërvitjes ushtarake të NATOs Anakonda, si dhe faktit që Maqedonia dhe NATOja i ndajnë të njejtat vlera dhe qëllime në nivel global, si paqja, demokracia dhe siguria, ne qartë treguam se vendi i Maqedonisë është në NATO”, porositi Jolevski, kumtoi sot MM.
Përqindja e lartë e mbështetjes tek qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe mbështetja e plotë nga strukturat politike në vend, theksoi ai, tregojnë për atë se Maqedonia mbetet e përkushtuar në integrimin në strukturat euroatlantike.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë që të mbetemi të përgatitur për anëtarësim në NATO. Do të vazhdojmë të kontribuojmë drejt sigurisë së rajonit dhe Evropës, në të vërtetë këtë e dëshmuam me mënyrën me të cilën u përballëm me krizën e migrantëve. Ne jemi partner serioz dhe kredibil, por duhet ta bëjmë edhe hapin e ardhshëm, përkatësisht të jemi anëtare e barabartë e NATOs”, potencoi Jolevski në takimet e tij me ministrat e mbrojtjes.