Rritet shkalla e krimit në Britani pas votimit për “Brexit”

Krimet që për bazë kanë urrejtjen shënojnë rritje të konsiderueshme në Mbretërinë e Bashkuar pas referendumit për statusin e ardhshëm të vendit në Bashkimin Evropian që u mbajt muajin e kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Të dhënat e publikuara të premten nga Këshilli i Shefave të Policisë Kombëtare tregojnë se 3.076 krimet që për bazë kanë urrejtjen janë denoncuar në polici mes datave 16 dhe 30 qershor, që është një rritje prej 42 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Incidentet e raportuara përfshijnë raste të dhunës kundër individëve si dhe ngacmim dhe abuzim verbal.

Shifrat duket të kenë konfirmuar shqetësimet se pakicat etnike dhe fetare gjithnjë e më shumë po vihen në shënjestër të sulmeve në Britani pas referendumit të 23 qershorit në të cilin u votua për dalje nga BE-ja.

Kulmi i incidenteve ka ndodhur më 25 qershor një ditë pas referendumit, ku anembanë vendit u regjistruan 289 shkelje të ligjit.

Asistent Shefi i Këshillit, Mark Hamilton deklaroi se tani kanë tregues të qartë për rritjen e denoncimeve për krimet që për bazë ka urrejtjen. “Kjo është e papranueshme dhe rrezikon diversitetin dhe tolerancën të cilën në fakt do të duhej ta festonim. Shërbimi policor nuk do të tolerojë këtë abuzim”, tha ai.

Ndërkohë, kryetari Londrës, Sadiq Khan, ka nisur të premten një fushatë që bën thirrje për banorët e qytetit të “qëndrojnë së bashku” kundër veprimeve raciste dhe ksenofobe.

“Unë thjesht nuk do të tolerojë në Londër krimet e urrejtjes të çfarëdo forme. Ne duhet të qëndrojmë së bashku dhe ai që sheh, ose është vënë në shënjestër nga sjellja abuzive duhet të raportojë të njëjtën në polici menjëherë”, ka thënë Khan në një deklaratë të shkruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button