OEM kërkon ngritjen e bashkëpunim doganor në rajon

Oda Ekonomike e Maqedonisë (OEM) përmes një konference për mediat ka shpalosur konkluzionet nga samiti i tretë “Forumi investues i Odave – shembull për bashkëpunim të shkëlqyer në kuadër të Ballkanit Perëndimor” , që paraqet një instrument për tërheqjen e investimeve të reja në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryesuesi i Kuvendit të OEM-së, Antoni Peshev, pjesëmarrës në samitin e tretë për Ballkanin që u mbajt më katër korrik në Paris, njoftoi se pjesëmarrës kanë qenë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Bankës Botërore, ministra të Ekonomisë nga të gjitha vendet e rajonit përfshirë edhe komunitetin e biznesit.

Peshev tha më tej se pikat kryesore në të cilat është vënë theksi gjatë samitit të Parisit kanë qenë për zhvillimet e infrastrukturës për lidhje intensive mes shteteve të rajonit, investimet në energjetikë dhe avancimi në teknologjitë e reja. Ai ka shtuar se samiti ka pasur një specifikë sepse është mbajtur menjëherë pas Brexit-it, ku ka qenë e rëndësishme të dëgjohet perspektiva e dy ekonomive më të zhvilluara të Evropës, ndërsa për Maqedoninë ka qenë e rëndësishme të dëgjojë se cila është perspektiva e saj në këtë segment.

Çështja e rëndësishme e cila u prek në këtë samit tha Peshev, ishte iniciativa që gjatë shtatorit të mbahet në Shkup konferenca për ngritjen e standardeve për shkëmbimin e informacione elektronike mes sistemeve doganore në shtetet e rajonit.

“Përvoja e Maqedonisë e cila implementon sistemin përgjatë tetë viteve të kaluara, flet për transport intensiv të mallit në vendet e rajonit që akoma janë të ndara me kufij. Vlerësuam se bashkëpunimi mes drejtorive doganore duhet ngritur në një nivel më të lartë sepse me vendosjen elektronike të evidencës do të përshpejtohet qarkullimi i mallit dhe udhëtarëve në vendkalimet kufitare që është kusht për rritjen e shkëmbimeve tregtare”, tha ai.

Sofçe Jovanovska, këshilltare në OEM, deklaroi se Forumit Investues i Odave të Maqedoninë, Shqipërisë, Kosovës, Serbinë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malin e Zi është vlerësuar lart në samit.

“Të gjithë diskutantët në samit theksuan se pikërisht ky lloj i bashkëpunimit në rajon duhet të shërbejë si shembull për të tjerët të cilat duhet të bashkëpunojnë për të tejkaluar problemet e tyre”, tha ajo.

Samiti i katër korrikut në Paris, është mbajtur në kuadër të Procesit të Berlinit i cili përfshin vendet e Ballkanit si Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button