Low: Gjermania, ekipi më i mirë. Na mungoi fati

I zhgënjyer, madje më tepër se kaq, Joachim Low e kishte të vështirë të pranonte humbjen  me Francën. Disfata 2-0 ndaj Gjelave në Velodrome nxorri jashtë Europianit, Gjermaninë kampione të Botës, por trajneri i kombëtares së pancerave në konferencën për të shtyp të pas ndeshjes e cilësoi si të pamerituar humbjen që pësoi Die Manschaft në Marseille.

”Ishim skuadra më e mirë në fushë, por na mungoi fati dhe saktësia në finalizim. Në 2010-tën dhe 2012-tën nuk ishim skuadra më e fortë në Botë por sot jemi dhe për këtë fakt më vjen më shumë keq sepse u eliminua ekipi më i mirë. Ishim më lartë se Franca në lojën një për një dhe ndryshe nga ata zhvilluam një futboll sulmues. Megjithatë po nuk shënove futbolli i tillë është.  Penalltia që akordoi Rizzoli? Nëse shohim me vëmendje sesi shkon Schëeinsteiger te topi kupton që kemi qenë të pafat. Nuk dua të akuzoj arbitrin, por kur kërcen një futbollist e ka gjithmonë të vështirë të kontrollojë lëvizjen e krahut”.

Në ndeshjen ndaj Francës te pancerat u ndienë edhe mungesat dhe Low e pranon se me Hummels, Gomez dhe Khediran do të ishte një tjetër Gjermani në fushë, transmeton Supersport.

” Nuk ishte e lehtë për ne të luanim pa Hummels që ishte i skualifikuar por edhe pa dy lojtarë shumë të rëndësishëm si Khedira e Gomez që u dëmtuan në sfidën ndaj Italisë. Më pas doli nga fusha edhe Boateng, 4 lojtarë mungesa e të  cilëve e ndiemë shumë në përballjen ndaj Francës. Nuk kemi bërë asgjë keq në këtë Europian që të vërshëllehmi nga tifozët tanë”.

Joachim Loë ka kontratë me përfaqësuesen gjermane deri në përfundim të Botërorit Rusi 2018, por e ardhmja e tij në stolin e Die Manschaft nuk është e sigurtë.

” Është shumë shpejt në këto momente për të folur se çfarë do të bëj në të ardhmen. Të shohim se cfarë do të ndodhë pasi të kthehemi në shtëpi do të bisedoj me drejtuesit e federatës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button