Kosovë, shkatërrohen 2.382 armë të vogla dhe të lehta

Kosova sot iu bashkua Ditës ndërkombëtare vjetore për shkatërrimin e armëve të vogla, e cila u organizua me mbështetjen e Zyrës së Jashtme Gjermane dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, ku u shkatërruan mbi 2.382 armë të vogla dhe të lehta, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoni të pranishëm ishin zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, zëvendës përfaqësuesja Rezidente e UNDP, Alessandra Roccasalvo, përfaqësuesja nga Ambasada Gjermane në Kosovë Henriette Kotter dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha.

Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme thuhet se kjo ministri së bashku me Policinë e Kosovës dhe Agjencionin e Forenzikës janë të përkushtuar në ngritjen e kapacitetit të zgjidhjes së krimeve me armë në fusha të ndryshme, si shenjim dhe shenjëzim, menaxhim të stoqeve dhe mbajtjen e evidencës, si dhe investigimin e krimeve me armë në përgjithësi.

Duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos festohet me armë sepse kjo mund të jetë vdekjeprurëse për njerëzit, zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha u shpreh se “Republika e Kosovës ka treguar përkushtimin e fuqishëm që të luftojë të gjitha llojet e paligjshme të trafikimit me armë”.

Ndërkohë, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha tha se Policia e Kosovës do ta vazhdojë punën e saj për konfiskimin e armëve të jashtëligjshme dhe për largimin e tyre nga duart e qytetarëve.

Zëvendës-përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, duke theksuar se kjo është hera e tretë që merr pjesë në shkatërrimin e armëve, falënderoi mbështetësit e kësaj ngjarjeje mjaft e mirë, pasi që, sipas saj armët e paligjshme janë rrezik shumë i madh për të gjithë shoqërinë.

Ngjarja e shkatërrimit të armëve do të përdoret edhe për lansimin e fushatës “Festo me zemër, dhe jo me armë” për zvogëlimin dhe parandalimin e zjarrit festiv, që është një bashkëpunim me UNDP SEESAC e që mbështetet nga Bashkimi Evropian. Armët e shënjuara për shkatërrim janë konfiskuar nga Policia e Kosovës gjatë punës së tyre për hetimin e krimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button