VMRO-DPMNE dhe BDI: Përmirësim i vogël në dialogun politik

Pas vizitës së djeshme të ndërmjetësit special gjerman, grupet e punës janë ulur së bashku me ambasadorët Xhes Bejli dhe Aivo Orav për të diskutuar për reformat në media dhe pastrimin e Listës zgjedhore.

Përfaqësuesit e Qeverisë në bisedime, respektivisht përfaqësuesi i BDI-së Artan Grubi dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Todorov, thonë se ka një përmirësim të vogël në dialog, raporton Portalb.

“Bashkërisht shqyrtuam pozitat e palëve në lidhje me pastrimin e Listës zgjedhore dhe dy kategorive kontestuese nga ana opozitës, si dhe zgjidhjen e çështjes së mediave dhe raportimin e tyre në periudhën parazgjedhore dhe deri në ditën e zgjedhjeve. Të gjitha palët kanë prezantuar qëndrimet e veta. Nuk ka marrëveshje. Bisedimet do të vazhdojmë. Shpresojmë të gjitha palët do të kenë qasje konstruktive qysh kemi ne në arritjen e një zgjidhje përfundimtare për këtë krizë politike. Avancohen bisedimet, mund të arrihet një rezultat i kënaqshëm”, tha Grubi pas mbarimit të takimit.

Ai tha se BDI mbetet në qëndrimin se nuk guxojnë të fshihen votues që kanë të drejtën e votës dhe për qëllime politike nuk duhet të keqpërdoret vota e qytetarëve.

“Gjeneralisht flasim për dy punë- pastrimi i Listës zgjedhore dhe reformat në media. Vlerësojmë se është e panevojshme 170 mijë votues të shënohen me yll si shenjë se janë nga diaspora, si dhe 40 mijë që KSHZ i gjeti si kontestues të fshihen nëse vet nuk paraqiten në shqyrtimin publik. Megjithatë, vendosëm ta pranojmë kërkesën e LSDM-së që të dëshmojmë se VMRO-DPMNE i fiton zgjedhjet me projekte dhe me besim të qytetarëve, dhe jo me manipulime në Listën zgjedhore. Rreth mediave, qëndrimi jonë është se asnjë media dhe asnjë gazetar nuk duhet të dënohet për tekst gazetaresk apo kronikë. Nuk duam që mediat të vijnë në gjendje që të dënohen dhe të shkruajnë me porosi”, nënvizoi Todorov.

Në lidhje me kohën e mundshme të zgjedhjeve Todorov tha se së pari duhet të sigurohemi se të gjitha kushtet janë plotësuar dhe të njëjtën gjithë ta thonë publikisht, tek atëherë do të merren vesh për datë të zgjedhjeve.

Sipas tij sot ka patur përafrim të vogël të qëndrimeve.

Renata Deskoska nga LSDM dhe Imer Aliu nga PDSH pjesëmarrës në këtë takim pune, si dhe ambasadorët Orav dhe Bejli, nuk kanë dashur të komentojnë para mediave rrjedhën e takimit dhe mundësit për zgjidhje./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button