Berisha në Kuvend: Në Rinas u vodhën 85 kg euro

Duke folur për grabitjen në Rinas, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se nga bankat janë nisur 115 kilogramë euro, ku u vodhën 85 kg.

Sipas tij u tha se u vodhën 1 milion euro, por e vërteta është ndryshe. “Ajo çfarë ndodhi në aeroportin e Rinasit është një akt terrorizmi, një grabitje e stilit terrorist. Për 12 minuta banda me armë pushtoi pistën e avionit. Mori paratë dhe u largua pa iu futur një ferrë në gisht. Nga bankat ishin nisur rreth 30 milionë euro, ku u vodhën vetëm 20”, shtoi Berisha, njoftojnë medie nga Tirana.

“Pse çdo javë kemi të paktën një ngjarje madhore të krimit?”, u drejtohet Berisha deputetëve të PS-së. “Sepse kreu i juaj është kreu i krimit. Sepse kreu i juaj e ka shtruar Shqipërinë në protektoratin e krimit. Sepse vjedhësit dhe vrasësit ndihen zotër të këtij vendi”, vijoi deputeti demokrat.

Sipas Berishës, shqiptarët mësuan se nuk kishit asnjë përgjegjësi për aeroportin. “Ju menjëherë latë duart se nuk keni përgjegjësi. Fati i shqiptarëve që siguria e tyre varet nga avokati i Ramës, por ai ndihej Zot në protektoratin e tij të krimit. Por nëse nuk ke të bësh me sigurinë në aeroport, për ty siguria nuk ekziston. Por shqiptarët shohin se dy vjedhjet më të mëdha u bënë nga kompanitë e qeverisë”, tha nga foltorja e Kuvendit Berisha.

Deputeti i Partisë Socialiste Pjerin Ndreu, tha se grabitja në Rinas është një çështje që prek sigurinë dhe se nuk duhet të ndodhte. Në fjalën e tij në seancën e sotme parlamentare, ai u bëri apel të gjithë kolegëve të tij që mos sulmojnë policinë e shtetit.

“Nëse e gjykojmë për nga koha, vendi dhe mekanizmi i ngjarjes është e natyrshme që secili bie dakord se ajo është një ngjarje e rëndë që nuk duhet të ndodhte”, u shpreh Ndreu.

Sipas tij, fakti që ndodhi nuk i bën aspak mirë imazhit të rendit dhe sigurisë. “Por kjo nuk do të thotë që ne si parlamentarë të flasim pa asnjë lidhje dhe të ngremë akuza që nuk kanë asgjë të përbashkët me ngjarjen, fajtorët e ngjarjes dhe përgjegjësit e saj. Unë përsëris dhe i komplimentoj disa kolegë të mi që nuk kanë asnjë ditë marrëdhënie me policinë, nuk kanë kulturën të gjykojnë policinë, por kanë marrë përsipër të japin opinione mbi policinë.

Politika jonë duhet të ndërgjegjësohet se ka kusure të rënda në organizimin e policisë së shtetit. Ka vite që policia e shtetit është në tutelën e politikës dhe kjo është një problematikë që e kanë mbytur policinë. Kolegë mos anatemojnë policinë sepse është e vetmja strukturë që ka prodhuar të mira në këtë shtet”, tha ai.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, e cilësoi një megaskandal ngjarjen e ndodhur në Rinas, aty ku u grabitën rreth 1 milion euro.

Sipas deputetit demokrat me grabitjen u cenua siguria kombëtare e vendit. “Përballja me terrorizimin, i çfarëdolloj ngjyre të jetë ai mbetet një nga sfidat kryesore në përpjekën e tyre për rritjen e sigurisë së qytetarëve. Vendi ynë ka qenë i angazhuar në plotësimin e marrëveshjeve. A ka sot një angazhim real konkret që merren me parandalimin dhe luftën me terrorizimin. A është sot Shqipëri asnjë vend i sigurt”, shprehet Boçi.

“Tek kthehemi tek ngjarja në Rinas, do thosha se ky realitet merr formë tjetër. Është për të ardhur keq për këto fakte dhe ndaj realitetit për luftën ndaj terrorizimit. Atë ditë nuk u grabitën vetëm miliona euro, policia duhet të merret në mënyrë të posaçme, por ishte siguria e milionave njerëz. Ky ishte një megaskandal i vërtetë, pasi tek e fundit kjo qeverisje ka falimentuar. I ka shqyer kufijtë e Shqipërisë. Këtu hyn e del kujt ti dojë qejfi, edhe derri edhe dosa”, tha deputeti i PD-së.

Të merren masa ndaj kompanisë private që është përgjegjëse për garantimin e sigurisë në aeroportin e Rinasit. Kështu është shprehur deputeti i Partisë Socialiste Arben Çuko, në fjalën e tij në seancën e Kuvendit.

Ai propozoi dy zgjidhje, prishjen e kontratës ose marrjen e garantimit të sigurisë në aeroport nga Policia e Shtetit, duke qenë se koncesionari ka dështuar në garantimin e saj.

Në fjalën e tij, Çuko theksoi se për çdo udhëtar që kalon në aeroportin e Rinasit paguan për sigurinë nga 3 deri në 5 euro. “Në vit, kompania koncesionare merr 9. 5 milionë euro nga kjo tarifë”, shtoi deputeti i PS-së.

“Nga 3 deri në 5 euro për çdo fluturim paguan çdo shtetas që kalon në aeroportin e Rinasit. 9.5 milionë euro në viti paguhen për sigurinë. Ku i ka çuar këto lekë? Le t’ia lëmë Prokurorisë që të hetojë. Të ndërpritet kontrata ose të ribëhet kontrata e re”, u shpreh Çuko.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button