Arlind Ajeti refuzon Pescara-n

Arlind Ajeti refuzoi transferimin te Pescara. Skuadra ku Ledian Memushaj mban shiritin e kapitenit cilësohej në “pole” për shërbimet e mbrojtësit shqiptar, që shkëlqeu në finalet e Kampionatit Europian.

Refuzimi i kuqeziut u konfirmua nga presidenti i klubit, Sebastiani. Ai deklaroi për mediat lokale, se mbrojtësi e refuzoi propozimin e paraqitur, transmeton Supersport.

Oferta e abrucezëve duket se nuk e ka bindur 22-vjeçarin Ajeti. Bëhet fjalë për një ofertë 4-vjeçare me rrogë që nga 350 mijë euro në sezonin e parë do të rritej deri në 500 mijë euro, plus shpërblimet.

Gjithashtu klubi i Pescarës synonte të përfshinte në marrëveshje edhe një klauzolë me vlerë 5 milionë euro për prishjen e kontratës, si edhe avantazhin që nëse skuadra nuk arrinte të siguronte mbijetesën në Serinë A, Ajeti mund të largohej si lojtar i lirë, ashtu si ndodhi edhe te Frosinone.

Në vendimin e mbrojtësit të Kombëtares, për të mos pranuar kushtet e Pescara-s, duket se kanë ndikuar oferta financiare, por edhe fakti që Pescara nuk është një skuadër e madhe. Nga Seria A, interes për Ajetin kanë shfaqur edhe Bologna e Torino, ndërsa garës i janë shtuar edhe Lacio e Atalanta.

Situata e mbrojtësit mbahet nën vëzhgim edhe nga Stoke City në angli, Werder Bremen në Gjermani dhe Fenerbahce në Turqi. Një listë e gjatë dhe me emra të rëndësishëm, nga e cila Arlind Ajeti do të bëjë zgjedhjen më të mirë për karrierën, por edhe në aspektin financiar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button