Dy familje skamnore në Gjilan bëhen me shtëpi të reja në prag të Bajramit

Komuna e Gjilanit së bashku me donatorët ka inauguruar sot dy shtëpi për familjet në nevojë. Në fshatin Zhegër ka përfituar familja e Nexhmije Hazirit me donator “Ceni Company”, ndërsa në Lladovë i është ndërtuar shtëpia Bujar Jakupit nga donatori “Garage Benz”.

Në ceremoninë e inaugurimit të shtëpisë në Zhegër, kryetari Haziri ka falënderuar “Ceni Company” për solidaritetin e treguar, ndërsa tha se kjo shtëpi është më e madhe sesa standardet e deritanishme, shkruan Koha.net

Në emër të kompanisë “Ceni Company”, ka folur Jehona Hyseni, e cila është këshilltare në Kuvendin Komunal, duke thënë se ndihet mirë që familja Haziri do t’i festoj dy festa, Fitër Bajramin dhe hyrjen në shtëpinë e re.

Ndërkaq, në inaugurimin e shtëpisë në Lladovë, kryetari Haziri pohoi se familja e Bujar Jakupit është e 30-ta që po u ndërtohet shtëpia me fondin e solidaritetit.

Kryefamiljarët e dy shtëpive, Nexhmije Haziri dhe Bujar Jakupi, kanë shprehur falënderim të veçantë për kryetarin Haziri dhe donatorët, të cilët ua mundësuan që të bëjnë jetë të dinjitetshme.

Në fund, kryetari i Gjilanit ka paralajmëruar se edhe shtatë shtëpi të tjera do të inaugurohen gjatë javëve në vazhdim, derisa edhe për 3 të tjera do të vënë gurëthemelin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button