Do të çohen studentët e USHT-së kundër ligjit të administratës?
Përderisa vijojnë protestat e studentëve në Universitetin e Prishtinës, studentët e Maqedonisë posaçërisht ata të Universitetit Shtetëror të Tetovës ende hamenden në duhet vepruar apo jo kundër projektligji për administratë i cili sipas tyre është diskriminues.
Ligji i ri për administratorët shtetërorë që ndodhet në procedurë kuvendore parasheh që gjatë punësimit të merret parasysh edhe rangimi i Universiteteve në Maqedoni sipas Listës së Shangajit.
Parlamenti studentor i Universitetit Shtetëror të Tetovës thekson se mund të organizojë protesta në qoftë se në parlamentin e Maqedonisë kalon ligi për administrator, pa asnjë ndërhyrje në nenin 39 pika 6 pikërisht për rangimin e lartpërmendur.
Kryetari i Parlamentit studentor të USHT-së Shaban Arsllani i tha Portalb-it se ka gjasa për protesta, por ende nuk e kanë vendosur.
“Punësimi i administratorëve në bazë të listës së Shangait është një mënyrë për ti shpallur luftë këtij universiteti. Në pamje të parë duket se ky është një skenar i përgatitur nga kuzhinat anti-shqiptare” thotë për Portalb, Arsllani.
Sipas listës së kaluar, USHT doli e fundit në këtë listë. Rezultatet për këtë vit ende nuk janë publikuar.
Arsllani shfaq dyshime për profesionalitetin e kësaj liste duke theksuar se lista e tillë është manipuluar nga dikush, duke mos theksuar se kush.
“Dihet se USHT-së i ndahen më pak mjete se universitetet e tjera shtetërore. Ne kemi reaguar disa herë. Kërkojmë nga faktori politik shqiptar, qoftë pozitë apo opozitë të reagojë” tha Arsllani.
Ai tha se do të presin të shohin se a do të kalojë Ligji i pandryshuar në Parlament dhe më pas të reagojnë.
Një ndër përpiluesit e këtij ligji, është ish profesori i USHT-së, Jahi Jahija i cili është sekretar shtetëror në Ministrinë për informatikë dhe administratë.
Ligji pritet të hënën të kalojë në lexim të dytë në seancë parlamentare. /Portalb