Çollaku: Vizat, sivjet

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka thënë se Kosova duhet ta përmbushë edhe kriterin e fundit për liberalizimin e vizave, që është ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që “të mos u lihet hapësirë vendeve të BE-së të dalin kundër këtij vendimi”

Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi duhet të ndodhë para se të fillojë lëvizja pa viza në Bashkimin Evropian (BE), përderisa në Kosovë po humbet kohë me debate publike se a është një kërkesë e tillë e drejtë, apo jo.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, duke shtuar se ky kusht specifik është kërkuar edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për Liberalizimin e Vizave, të publikuar në dhjetor 2015, dhe përsëri është kërkuar në rekomandimin për liberalizimin e vizave të Komisionit Evropian. “Tani është koha për qartësi dhe të pranojmë se ky është një kusht i vendosur nga BE-ja dhe si i tillë nuk mund të anashkalohet”, shprehet Çollaku.

Ai ka shtuar se Kuvendi dhe subjektet politike duhet të vendosin për kohën dhe mënyrën e procedimit për ratifikim të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që, sipas tij, Kosova të mos i lërë hapësirë asnjë vendi të Bashkimit Evropian të dalë kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Gjatë intervistës për “Zërin” ai po ashtu shprehet i bindur se këtë vit do të hiqen vizat për kosovarët në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button