Doda: Brexit na mëson, një Shqipëri e vetme me 7 milionë shqiptarë!

Deputetja e Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Mesila Doda thotë se dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian është një mësim edhe për Shqipërinë.

Ajo thotë se duhet të ketë një strategji mbarëshqiptare. Zonja Doda thotë se zgjidhja është një e vetme; një Shqipëri me 7 milionë shqiptarë, transmeton Ora News.

Reagimi i plotë:

Brexit na mëson të bashkohemi në një Shqipëri

Vendimi u mor. Britania është zyrtarisht jashtë. Nuk kish’ pranuar asnjëherë të ndryshonte monedhën e saj kombëtare, apo të futej në zonën Schengen duke dëshmuar qysh herët një distancë me rregullat e Bashkimit, por ishte padyshim fuqia morale, noterja siç e quanin e vendimeve të Europës.

Besoj se pikërisht këtu nis një shkallë e madhe moskuptimi i projektit europian. Ai që lindi si bashkim i popujve që ndajnë vlera të njëjta, paqe, solidariteti, respekti ndaj jetës, progresi e ndihme reciproke përfundoi në një ndërmarrje ekonomike të përbashkët, ku i pasuri u bë dhe më i pasur, i varfëri u vafërua dhe më shumë. Evropa e sotme nuk ka asfare fytyrën që i kishin dhënë etërit e saj themelues.

Ajo u katandis në një korporatë burokratësh njerëzish pa vizion e pa ide që nuk inspirojnë dot kërrkënd. Është pikërisht këtu kriza e sotme e projektit europian dhe nëse nuk ridimensionohen marrëzitë e pushtetit të mëdhenjve që e shohin Europën si lopë për ta mjelë, projekti bëhet nul.

Në këto kushte rikthehemi tek ato çka kemi përsëritur prej shumë kohësh. A do ndërtojmë një strategji kombëtare mbarëshqiptare NE? A do e kuptojnë më së fundi miopët vendimmarrës se nuk shkojmë dot përpara me troje e popullatë shqiptare të copëzuar në feude? Një dhe vetëm një është zgjidhja.

Një Shqipëri e vetme me 7 milionë shqiptarë, një monedhë kombëtare, Leku që duhet të fillojë urgjentisht nga përdorimi në gjithë hapësirën shqipfolëse, një program arsimor. Një komb, një shtet, një Shqipëri e vetme.

 

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button