Ivanov i mbijetoi votëbesimit me ndihmën e VMRO-së

Me 35 vota “pro”, 47 “kundër” dhe 0 të përmbajtur, Kuvendi republikan e hodhi poshtë Propozimin për përcaktimin e përgjegjësisë të presidentit të shtetit Gjorge Ivanov.

Në debatin paraprak iniciatorët e impichmentit theksuan se Presidenti Ivanov ka shkelur kushtetutën, ligjet, Marrëveshjen e Përzhinës dhe ka ndrhyrë në kompetencat e gjyqësorit, prandaj duhet të dorëhiqet.

Deputetët e BDI-së dhe LSDM-së për pesë ditë radhazi ftojnë presidentin që të pranojë fajin dhe të tërhiqet nga posti. Sipas deputetes, Vjollca Nuredini, vendimi i Ivanovit është edhe një dëshmi se drejtësia në Maqedoni është selektive.

“Ky vendim parqet ndërhyrje dhe pengim të punës së Prokurorisë Speciale dhe ky vendim paraqet rrënim dhe mosrespektim të Marrëveshjes së Përzhinës, e cila njëherit është garanci për tejkalimin e situatës kaq shumë të tensionuar në RM. Gjëja më e mirë që mund të bëjë z. Ivanov me qëllim që të mund të përmirësojë këtë gabim “të mirë” do të kishte qenë dorëheqja e tij nga posti president, edhe ashtu i njëanshëm ose jolegjitim në RM”, deklaroi Vjollca Mehmeti Nuredini nga BDI.

Ndërkaq, Lidija Dimova nga LSDM edhe një herë pyeti presidentin Ivanov që të sqarojë se cili vendim ka qenë në interes të Republikës, vendimi për abolim apo vendimi për tërheqjen e abolimit, pasi në të dy rastet presidenti deklaroi se vendimet i merr në interes të shtetit dhe qytetarëve të tij, njofton RTVM2.

“Kryetar, kur thatë se arsyeja për abolim është fakti se e bëni për të mirën e popullit, për të evituar ndonjë katastrofë, a e mendonit këtë seriozisht kur i aboluat 56 persona, kur e tërhoqët vendimin për abolim?! Nuk mundeni edhe në rastin e  parë edhe në rastin e dytë ta deklaroni të njëjtën dhe kjo të kalojë ashtu, pa sqarim”,- tha Lidija Dimova nga LSDM.

Mirëpo, deputetët e VMRO-së vazhdojnë të mbrojnë presidentin Ivanov, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve presidenciale dhe takimeve që ka realizuar me qytetarë. Sipas tyre, nisma për përgjegjësi ka për qëllim ta nxi figurën e presidentit.

“Për pesë ditë po shërbeheni me teza të konsumuara, farsa, paraqitje populiste para popullit të RM-së, që ta nxini presidentin Ivanov, i cili ka bërë shumë më tepër se të gjithë presidentët e juaj”,- theksoi Nikolla Miceski nga VMRO-DPMNE.

Debati rreth nismës për përgjegjësinë e presidentit Ivanov po zgjatë pesë ditë, ndërsa në listën për fjalë presin rreth 60 deputetë të tjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button