Shkëlqimi i kombëtares sonë si paradigmë

Për çfarë të shkruaj kësaj jave? Ka plot probleme në këtë vend, ka shumë probleme populli ynë. Në çfarë do ane që të kthehesh, gjithandej hapësirën e ke të përhimtë. Përhimtësi. Megjithatë këto tema do të shtyhen kësaj radhe për një herë tjetër. Kësaj radhe imponohet në mënyrë të papërmbajtur një ngjarje e veçantë, një ngjarje e bukur të cilën na e siguruan si dhuratë dhe befasi të këndshme futbollistët e kombëtares sonë në Lion në ndeshjen kundër kombëtares rumune. Imponohet shkëlqimi i kombëtares sonë.

Populli ynë në çdo kënd të shtrirjes etnike, të rinj e pleq, burra e gra, të rinj, madje edhe fëmijët, thuajse për një në orën njëzet e një, të dielën i lanë të zbrazura rrugët. Të gjithë u ulën para televizorëve. Disa nëpër klube, disa në parqe, të tjerët nëpër shtëpitë e tyre, e shumë sish shkuan si tifozë në vendin e ngjarjes, në Lion, ku e ngjyrosën stadiumin kuq e zi. Të gjithë e ndoqën me kënaqësi dhe me emocione të papara ndeshjen e kombëtares sonë kundër kombëtares rumune.

Kjo ishte një dramë e paparë. Populli ynë i mirë, i përmbajtur, duke e ditur rëndësinë dhe peshën e këtij momenti, është edhe shikues, por edhe demonstrator i urtisë dhe i një civilizimi të lartë para syve të Evropës. Çdo individ kudo që është e ka një shenjë të kombit. Dhe rreshtimi i të gjithëve prapa kombëtares bëhet dëshmitar se nuk jemi as kosovarë, as çamë, as shqiptarë të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Preshevës e të diasporës, por të gjithë jemi një – jemi shqiptarë. Populli e di edhe përmbajtjen e çështjes kombëtare, e di edhe përgjigjen se ku është zgjidhja e këtij lëmshi të cilin po na e mbështjellin thuajse një shekull e më shumë politikanët dhe djallëzitë e banditëve politikë të shteteve fqinje. Populli është një. Populli ynë di si të sillet. Populli ynë është i bashkuar. Ai e di kompleksitetin e problemit më mirë se gjithkush, prandaj e tregon në mënyrën më të mirë se kush jemi, duke shkelur me kujdes në terrenin e rrëshqitshëm të dyshimeve që ka Evropa për shkak të propagandës së zezë antishqiptare. Popullit tonë i duhet një ekip punëtor i politikës kombëtare siç  është kombëtarja që të mos jetë i përçarë në baza krahinore, religjioze, dialektore etj. dhe të ketë kujt t’i shkoj prapa. Një popull me të vërtetë i mirë është populli ynë. Një popull të cilin e përçan kreu politik dhe ai religjioz me potencialet mesatare që ka.

Ky popull i mirë në tri ndeshjet e kombëtares sonë në Kampionatin evropian u bë shembull se si duhet të sillet publiku nëpër ndeshjet kombëtare.

Ky populli i mirë, pastaj,  të dielën, më 19 qershor 2016 i dha madhështi spektakulare ndeshjes historike të kombëtares sonë me kombëtaren rumune.

Ora njëzet e një po afrohet. Të gjithë janë në pritje. Vlojnë emocionet, por edhe frenohen. Askush nuk e do stihinë. Veçanërisht është i përmbajtur publiku ynë që është në stadium. Pritje. Çfarë do të ndodh brenda kësaj drame prej nëntëdhjetë minutash?

Pa marrë parasysh se e dimë që kemi një kombëtare për lakmi, pa marrë parasysh se kemi besim te futbollistët tonë, përsëri droja  nga një fat i keq e bën situatën të rëndë, të nderë. Dhe përsëri njerëzit i mundon pyetja: çfarë do të ndodhë?

Më në fund dalin në skenë djemtë tonë me fanella të zeza, përballë kombëtares rumune.  Sikleti shtohet te publiku në Lion, por edhe në çdo shtëpi, në çdo vend ku ndiqet ndeshja. Po me të shkon edhe frenimi  i emocioneve dhe të përmbajturit e publikut i cili e tregon një shkallë të lartë civilizimi derisa i mbështet të zgjedhurit e kombëtares sonë.

Fillon loja. Topi thuajse gjithmonë është nën kontrollin e djemve tonë. Më së shumti loja zhvillohet para portës rumune. Disa raste të mira, djemtë tonë nuk i shfrytëzojnë për të dhënë gol. Aty-këtu ka ndonjë kundërsulm nga ana e kombëtares rumune. Popullit thuajse i ndalet fryma. A mund të ndodhë përsëri ajo befasi e zezë që kombëtares sonë i ndodhi me Zvicrën dhe me Francën, ndonëse në të dy rastet luajti bukur? Mirëpo të dy këto lojëra ishin përvojë, ishin shkollë për kombëtaren tonë. Djemtë tonë nuk lejonin më befasi të tillë.

Megjithatë atmosfera vazhdon të jetë e nderë deri në minutën e dyzet, kur heroi i ndeshjes, elbasanasi Armando Sadiku me një goditje fantastike me kokë e çoi topin në rrjetën rumune. S’do të mundej ta mbronte këtë top as portieri më i mirë në botë.

As pas këtij goli mjeshtëria e futbollistëve tonë nuk u flashk as për një gradë të vetme. Vazhdoi loja e tyre e bukur deri në fund.

Ishte kjo jo vetëm një lojë, por edhe një mjeshtri e cila mund të krahasohet vetëm me një balet në të cilin tregohet fuqia e talentit, e mundësive të cilat mund t’i arrijmë ne si komb po qe se në ballë të punës qëndrojnë ekspertë e punëtorë të vendosur si trajneri  Xhani deBiazi.

Ishte kjo një ngjarje që u bë shembull për kthimin e kuptimit, shkëlqimit, kënaqësisë dhe besimit të humbur. Këtu nuk bëhet fjalë më vetëm për një lojë, këtu bëhet fjalë për diçka shumë më të madhe e më të rëndësishme, këtu në pyetje është dëshmia për mundësitë tona edhe në fushat tjera. Vallë a do të lejojmë të mbetemi vetëm te ky sukses?

Sido që të jetë laureate e shkëlqimit tonë kombëtar kësaj radhe është kombëtarja jonë. Ajo u bë paradigmë se si duhet të realizohen synimet tona në të gjitha fushat e jetës.

U urojmë shëndet dhe suksese djemve të kombëtares dhe urojmë që edhe në fushat tjera të arrihet ky shkëlqim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button