SHËNIME NGA ZVICRA (II)

BOTË PREJ ËNDRRE. Si një Sofokli, që gjatë kohë s’e ke braktisur Athinën tënde, sapo shkel në vend tjetër, ai të shfaqet magjepsës dhe ndjen njëfarë çlirimi nga ankthi e përgjegjësia. Më shumë dëshiron të shkruash për atë që ndjen, se sa atë që e sheh. Është kjo ndjesi që mundet një udhëpërshkrim ta përafrojë me një shkrim letrar dhe kështu ta paraqesësh një realitet të falsifikuar, të sajuar. Të jesh më shumë ekspresionist, se sa natyralist.

Në këtë botë vlejnë të tjera rregulla e ligje (apo që di t’i respektojë ato). Fliten të tjera gjuhë, që veshi nuk t’i ka dëgjuar për çdo ditë. Sheh të tjera imazhe, që më shumë i ke ëndërruar. Në këtë botë ndjen sikur je çliruar, sado pak, nga pesha e rëndë dhe ngulfatëse e vendit tënd, aty ku nuk ke mundur të shijosh rehatinë e kullës tënde të fildishtë. Një brengë, ajo e përhershmja, vazhdimisht e ka tronditur qenien tënde…

Në këtë botë, sakaq, të lindin referenca të shumta. Ndoshta se ke më shumë kohë t’i kthehesh vetvetes dhe të kërkosh më shumë gjëra në mademet e kujtesës. Të kujtohet perla e Konicës, “Malli për atdheun”: “Kur vete njeriu, i lirë e i vetëm, larg atdheut – viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e një mijë gjëra që vihen re ndër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën e të bëjnë jo të harrosh Shqipërinë, po mos të të vejë tek ajo aq dendur mendja…”

E ndjen se kjo ndjenjë është e përkohshme, por e domosdoshme. Është njëfarë çlirimi. Njëfarë zhveshje e petkut të eremitit. Largim nga një jetë idiotësish e rëndomtë, e ngulfatur brenda kornizave të trivialitetit. Një botë ku përherë ndodh e njëjta gjë dhe njëkohësisht nuk ndodh asgjë.

Dhe Zvicra më ngjan si botë e ëndërrt, që i zbulohet shikimit tim. Një botë plot idilë. Një botë që pranon njerëz kulturash, qytetërimesh, religjionesh e racash të ndryshme. Një botë ku nuk gjykohesh për origjinën, mjafton që lirinë tënde ta harmonizosh me lirinë e tjetrit; mjafton që ajo liri të përfundojë aty ku fillon liria e tjetrit; mjafton që të respektosh ligjet, të cilët vlejnë njësoj për të gjithë qytetarët. Një botë kur ligjet nuk i mbron vetëm polici e gjykatësi, por secili qytetar. Është kjo një botë që ke dashur t’i ngjajë edhe bota ku jeton përherë. Një botë ku është e theksuar ndjenja për jetën e përbashkët…

Zvicra është vendi i saktësisë, i rregullit dhe i disiplinës. Cvajgu, në “Kujtimet e një evropiani”, thotë se gjermanët e çmojnë disiplinën, madje më shumë se sa lirinë.

Këtë botë do të kesh kohë që ta njohësh ashtu sikurse është ose ashtu siç do mendosh se është. Mbase do ta njohësh më shumë se sa ata që jetojnë aty me vite, të cilët, mbase, edhe nuk ja dinë vlerën që e ka. Mbase nuk do ta njohësh asnjëherë. Mjafton që ajo të zgjon ndjesi të veçanta. Në këtë botë të dëshirohet edhe mirëseardhje poetike…

MIRËSEARDHJA POETIKE. Në Zvicër jetojnë shkrimtarë të veçantë shqiptarë. Disa prej tyre e kishin braktisur vendlindjen, sepse përndiqeshin politikisht. Zvicra ishte bërë jo vetëm atdheu i tyre i dytë, por u dha mundësinë që të punonin për atdheun e tyre të vërtetë, që ata e kishin humbur. Njëri prej tyre është Isuf Sherifi, poet i talentuar, autor librash, njeri idealist. Në tokën helvetike punon për krijimin e imazhit të mirë për shqiptarët. Me përpjekjet e tij janë botuar në gjuhën shqipe autorë bashkëkohorë të Zvicrës. Poezia e tij e bukur, filigraneske, e shkurtër, herë është sentenciale, herë tingëllon si klithmë. Ai merr nga materiali bruto i jetës dhe e kthen në art. Botën e tij e shqetësojnë probleme të ndryshme ekzistenciale. Shkruan edhe ese e shkrime publicistike. Përkthen poezi nga gjermanishtja, sikurse e thotë, për qejfin e tij. Përkthimi e do këtë qejf personal.

Sherifi është i lidhur me vendin dhe kombin e tij. E dëshiron përkrah kombeve më të zhvilluar të Europës. Në këtë përpjekje ka vuajtur shumë. Kamxhiku i zi i fatit e ka fshikulluar që nga adoleshenca. I ka provuar tmerret e burgut. E ka përjetuar ekzilin. Për shkak të bindjeve, si i ri, ishte detyruar të mërgonte në Zvicër, ku dha gjithçka për kombin e tij, pa kërkuar asgjë si kundërvlerë. Kur u krijuan rrethana të reja e kishte mundësitë e kthimit dhe të bënte karrierë politike. Por mbeti idealisti i papërmirësueshëm, me shpirt human, poeti me ndjeshmëri të veçantë. Emri i tij nuk është lakuar aq shumë në media. Ai nuk ka vuajtur për protagonizëm. Ka qenë shërbëtor i kombit të tij.

Sherifi është shumë miqësor. Në vitin 2001 shqetësohej për fatin tim. Në prag të përfundimit të konfliktit në Maqedoni më pyeti nëse kisha ambicie politike. Ndoshta sepse e kishte ndjerë se disa nga euforia e të tjerë nga ambicia vraponin të futnin kokën në partinë e re. I shpreha mosinteresimin tim. E ndjeva se kjo e gëzoi. E kuptova se shumë pritje e iluzione do të mjegulloheshin së shpejti. Shumë njerëz i njihte më mirë se sa unë. Ai, siç dukej, nuk donte ta humbiste një mik…

Isuf Sherifi është poet i brezit tim. Në poezitë tona, përgjithësisht, ndjehen shqetësimet dhe pritjet e brezit tonë. E një brezi të humbur, e një brezi të udhëkryqit. Më shumë idealist se sa duhej. Ata që e ngatërrojnë fiksionin (idealin) me realitetin (pragmatiken) e përjetojnë fatin e Don Kishotit. Janë të fisëm e humanistë, të drejtë sikurse ai, por e thyejnë kokën në murin e realitetit. Poezia ka qenë për ne njëfarë arratisje, njëfarë shpëtimi nga një realitet i trishtë. Mbase ka qenë një portë në mur, siç thoshte Emersoni…

Sherifi është emër i respektuar në qarqe letrare, por jo i afirmuar sa e meriton. Brezi ynë, përgjithësisht, s’e ka pasur luksin për të ngulmuar në afirmim më të madh. Kanë ndodhur plasaritje e tronditje shoqërore e historike dhe letërsia është dashur të pres një kohë tjetër, më të qetë. Isuf Sherifi, përveç kësaj, ka qenë disident politik. Emri i tij, deri vonë, s’mund të përmendej, jo më t’i botoheshin poezi në revista të kohës.

Sot jeton në St. Gallen dhe punon në zyrat e emigracionit. Është i respektuar nga rrethi dhe shqiptarët e Zvicrës. Është edhe aktivist politik, me bindje socialdemokrate.

Shpesh kemi dashur të bëjmë diçka në planin artistik, por gjithmonë planet i kam ngatërruar unë. Më është dashur të bëj punë të ndryshme, duke punuar me ditë e muaj, thjesht, si hamall.

Me të arritur në Zvicër Isufi më bëri befasi të këndshme, siç e përmenda më lartë. Më dëshiroi mirëseardhje në mënyrën më të mirë të mundshme – nëpërmjet një poezie, e cila jo vetëm shijohet, por edhe ofron informacion mbi Zvicrën. Një shqiptar që jeton në Cyrih, me ta lexuar, më tha se nëpërmjet poezisë kishte mësuar shumëçka për Zvicrën. Ja pse duhet të dëgjohen njerëzit e shkrimit.

MBRËMJE NË KLOTEN. Bujar Salihu është poet nga Gjilani, që jeton në Zvicër. E kam njohur para se ta takoja, sikurse e thotë një shkrimtar. E kam njohur nëpërmjet shkrimeve të tij, nëpërmjet poezive, disa prej të cilave ia kisha botuar në revistat që redaktoja. Për të më kishte folur edhe një mik yni i përbashkët. U takuam në vitin 2015, në banesën e tij, në Kloten, afër Cyrihut.

Bujari është poet i veçantë dhe njeri i fisëm. Poezitë e tij janë metaforike, simbolike. Sa lirike, po aq meditative. Të këndshme për t’i lexuar, njëkohësisht të thella. Pas përmbledhjes së parë me poezi “Në xipat e vetmisë” (1994) ka botuar edhe përmbledhjet “Më pak se jetë” (1997) dhe “Skeleti i dashurisë” (2002). Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Zvicrës. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë. Në poezinë e tij gërshetohen motive të ndryshme: dashuria, jeta, vdekja, eksodi, atdheu etj.

Poezia që krijohet në emigracion duhet të jetë më shumë në fokusin e studiuesve të letërsisë, sepse ka shumë emra të respektuar, që do t’i përmend në ndonjë rast tjetër…

Bujari, me të marr vesh se kisha ardhur në Zvicër, më kontaktoi nëpërmjet mikut tim, Abasit, me të cilin kishte punuar bashkë. Na ftoi për darkë. Doja që takimin ta kalonim me një kafe, por nuk u pajtua. Darka kaloi në mënyrë miqësore. Kishim ndjesinë se ishim takuar shumë herë. Biseduam me orë të tëra, për shumëçka, e më tepër për letërsinë. S’e harruam mikun tonë të përbashkët, që e kemi dashur dhe na ka dashur. E kujtuam atë natë. Folëm me dashuri të madhe. Folëm për mikun që nuk e përmenda më lartë. Për poetin Ali Podrimja. Me Bujarin biseduam edhe për një shkrimtar të veçantë. Për Ymer Shkrelin, i cili disa vite jeton në Zvicër, por rri larg komunitetit letrar. Nuk i di shkaqet e këtij ekzili të brendshëm. Me vite nuk boton asgjë, por vepra e tij, e botuar, vazhdon të jetë me horizont të hapur të pritjes…

Çdo mbrëmje e këndshme është e shkurtër. E shkurtër qe mbrëmja në Kloten. Një nga ato mbrëmjet që rrallë i përjetoj në jetën time rënduar prej ankthit. Teksa ktheheshim drejt Rutit, Abasi dhe Valmira flisnin me respekt të madh për Bujarin dhe familjen e tij. Fisnikëria ndjehej tek ai, tek zonja dhe djali i tij i zgjuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Salo, qendro pak me gjate ne Zvicer. Shkruaj cdo dite, per ckado qe sheh me syte dhe me syte e mendjes. Zhvilloi pak me gjate profilet e njerezve atje, si poetet e permendur ketu, si dhe profilet e njerezve tjere interesante. Mandej Salo do te te rrijme mbi koke ta botosh si liber. Dicka aq munguese: liber udhepeshkrimi, reportazh letrar, liber ditari…kenaqu atje, mos u kthe shpejt! Ketu zaten asgje e re nuk ndodh, as qe ka per te ndodh., tash ose shpejt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button