Hoxhaj: Fokusim për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka theksuar se politika e jashtme e Kosovës gjatë vitit 2014 do të fokusohet në ushtrimin e plotë të sovranitetit të shtetit në rrafshin multilateral, përmes pranisë dhe anëtarësimit në të gjitha forumet e ndryshme multilaterale.

Në ditën e dytë të Konferencës së II-të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, të zhvilluar në Prishtinë, ministri Hoxhaj tha se forcimi i rolit të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare përmes multilateralizmit do të jetë një ndër prioritetet e diplomacisë kosovare.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka theksuar aspekte konkrete të angazhimit të MPJ-së, misioneve diplomatike dhe Qeverisë së Kosovës në ndërmarrjen e masave konkrete për anëtarësimin e Kosovës në organizatat e ndryshme multilaterale, në të cilat Kosova nuk është anëtarësuar ende, transmeton koha.

Në panelet e zhvilluara gjatë tërë ditës janë trajtuar tema shumë të rëndësishme të punës së misioneve diplomatike, në të cilat, para ambasadorëve kanë prezantuar ministrat e resorëve konkretë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe misioneve ndërkombëtare, njofton MPJ.

Në panelin për integrimet euroatlantike, para ambasadorëve janë paraqitur ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.

Ministrja Çitaku gjatë fjalës së saj para ambasadorëve ka vlerësuar punën e bërë deri më tani nga misionet diplomatike të Kosovës, duke theksuar hapat të cilët po i ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës në procesin e MSA-së dhe në liberalizimin e vizave. Ajo ka deklaruar se Qeveria është duke punuar për t’i kryer obligimet të cila i ka marrë në këtë proces duke kërkuar nga ambasadorët e vendit që të vazhdojnë angazhimin e tyre në këtë proces, sepse siç ka thënë ajo “ambasadorët janë këshilltarët më të mirë për këtë proces”.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës, Agim Çeku gjatë diskutimit për politikat e Mbrojtjes dhe Sigurisë ka bërë me dije se FSK-ja është duke i definuar politikat e mbrojtjes dhe të sigurisë së Kosovës, duke i prezantuar edhe shtyllat kryesore në këtë proces, si dhe fushat ku duhet të përqendrohet angazhimi i përgjithshëm i institucioneve.

Në panelin me temën integrimi i Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, para ambasadorëve përveç ministrit Enver Hoxhaj, janë paraqitur edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.

Zëvendëskryeministrja Tahiri në fjalën e saj ka theksuar se politika e jashtme e shtetit të Kosovës bazohet në interesat nacionale, ku qytetarët jetojnë të lirë me kushte dhe siguri dhe se sa më e fuqishme të jetë Kosova në planin e brendshëm, edhe politika e jashtme do të forcohet edhe më shumë dhe do të ketë më shumë përkrahje,

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në fjalën e tij ka theksuar synimin e Kosovës që të aplikojë në disa organizata ndërkombëtare të shendetësisë, duke shtuar se anëtarësimi i Kosovës në to do të mundësoj njohjen zyrtare të zërit të Kosovës dhe përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës, dhe se për këtë janë bërë përpjekje konkrete në këtë drejtim.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, në fjalën e tij ndër të tjera ka theksuar se ndër fushat po aq të rëndësishme për ta përfaqësuar Kosovën në politikën e jashtme është edhe sporti dhe kultura. Krasniqi tha se është me rëndësi që Kosova të jetë prezent në ngjarjet ndërkombëtare.

Në panelin e radhës, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka thënë se diaspora e Kosovës është një aset shumë i rëndësishëm që ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në të gjitha zhvillimet, jo vetëm ekonomike por edhe ato politike si dhe në shumë fusha tjera, duke prezantuar projektet e Ministrisë së Diasporës në vitin e ardhshëm dhe më tej.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, ka prezantuar reformat kryesore të ndërmarra në vend, të të bërit biznes, që kanë rezultuar me ngritjen e Kosovës në 40 vende më lartë, duke theksuar se tashmë Kosova tashmë ofron siguri për investitorët e huaj dhe qëndrueshmëri për investimet e tyre.

Në një tjetër panel, ka qenë i ftuar edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Albin Kurti, i cili është fokusuar në rolin e Diplomacisë Parlamentare, punën e Komisionit që e udhëheq dhe politikën e jashtme.

Më herët gjatë ditës, para ambasadorëve kosovarë përvojat e tyre prej diplomatësh i kanë paraqitur edhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson dhe ambasadori i shtetit gjerman, Peter Blomeyer.

Lajme të ngjashme

Back to top button