VENDI IM, O VENDI IM

Këtu te ne gjithmonë është mot me re, me mjegull, mot i zymtë. Ndonjëherë bie shi i përbaltur ose është shi i kuq, kurse për rrugët mos të flas fare, sepse është vështirë të përshkruhen ato pas shiut, është mesele të pasqyrohet rrëmuja e ujërave të ngjyrosur që krijojnë këneta midis udhe. Por unë, si burrë i mirë, më duhet të dal në këtë peizazh të vrugët, ta marr veturën e vjetër mbi tridhjetë vjet e të dal dhe më duhet t’ia dal t’i kapërcej të gjitha këto pengesa  me këtë veturë prej karikature të bëj ndonjë punë. Kështu, më së pari i afrohem instancës pas dokumenteve që i lypin ose i marrin populli nëpër sportele andej e këndej ose ndalem te  pazari ku nuk kam çare të mos shkoj: instanca është fuqi e paprekshme dhe me të nuk ka shaka, bëre u zure me të do të përfundosh atje ku ha pula gur, ndërsa në pazar të çon uria ose gruaja e fëmijët, por edhe shpresa se atje do të gjesh patate, domate e perime të tjera për para të imta. Dhe, gjatë gjithë rrugës shiu bie i imtë nëpër mjegullën e rrallë si në filmat e Felinit. Vetura e vjetër vetëm kërcen pikëllueshëm nëpër gropat e mbuluara me ujë duke vjellë tym të zi, kurse unë kërkoj një vend ta parkoj nëpër birucat e ndryshme të qytetit të hirtë. Dhe, ngutem te parkingu i parë. Parkingxhiu e ka pronë të veten parkingun e bërë në vakëf, siç e ka instanca pronë private popullin, të cilin e ka shpallë për vakëf. Parkingxhiu ecën para meje duke u përdredhur me tubën e parave në dorë dhe tregon me gishtin e dorës tjetër ku të parkoj. Vendi që ma ofron ai është i papërshtatshëm, është si një kurriz i mprehtë e unë nuk dua që vetura ime e vjetër të mbetet aty si e lëvarur. E shoh se diçka më është prishur te rrotat derisa erdha në këtë parking privat – vakëf. Në atë kurriz do të prishet e tëra.

Kam frikë se aty më prishet krejt vetura. Ja paska plot vende të tjera ku mund ta lë! i them.

Jashtë! më thotë. Paske ardhur këtu të më zgjedhësh vend! Thuajse më ishe  kryetar partie! më bërtet parkingxhiu. Jashtë! E kthej veturën, kurse dritaren e kam të hapur dhe pikat e imta të shiut  ma lagin shpatullën e majtë. Do ta paguaj natën me lumbago këtë të lagur.

Dal nga hyrja e parkingut dhe e dëgjoj parkingxhiun si shan. E lë veturën në rrugë dhe vrapoj kah instanca. Mos të vonohem. Pres në rendin e gjatë para sportelit. Disa presin të shpërndarë në mendime, disa mërmërisin dhe madje edhe shajnë ndër dhëmbë pse rendi ecën ashtu ngadalë dhe pse zotërinjtë e sportelit i lëvizin me naze duart duke i marrë dokumentet e palëve. Pastaj dëgjohet zëri i përvajshëm i një gruaje e cila ia ka dalë të gjendet përballë nëpunësit të sportelit. Ajo thotë:

Zotëri askush nuk më ka thënë asgjë, askush nuk ma tërhequr ndonjë vërejtje se jam vonuar ose se kam bërë ndonjë lëshim, ndonjë shkelje afati a ligji. Ju lutem, ja po paguaj çfarë duhet…

Oj grua, hiqmu tutje, lëshoje rendin! Shko ankohu!

Po do të shkoj t’i ankohem kryetarit, thotë gruaja e përlotur.

Ankoju Jezu Krishtit! i thotë ai i sportelit. Ndërkaq kolegët e tij, tre a katër veta, qeshin me zë, në kor. Fytyra e gruas që largohet është e rënduar nga pikëllimi, siç është edhe kjo kohë e vrugët e me shi.

Vrugtësia  nuk lëshon pe, kurse rendi lëviz më ngadalë se kërmilli. Dhe, më në fund, deshi zoti, edhe unë arrij te sporteli.

Fol! më thotë nëpunësi.

E dini, erdha ta dorëzoj një ankesë…

Çfarë ankese?

Po uji më rrjedh curril në banesë nga lartë, nga  fqinjët e kateve përmbi banesën time.

Kjo s’është në kompetencën tonë.

Ku të shkoj të kërkoj çare?

Ku të duash! I lirë je! Tjetri që është në radhë!… bërtet nëpunësi.

Unë desha të jem më i vendosur se gruaja e përlotur e cila u përzu thuajse me tallje, desha të marr informacion të saktë, desha ta marr adresën se ku mund të ankohem, mirëpo rendi i gjatë filloi të mërmërisë, duke më gjykuar mua, jo nëpunësin. E pastaj, thashë, ndoshta është më mirë që u largova se do të më kishin fyer edhe më shumë.

Kujt t’i ankohem pastaj?

Dal. Jashtë më pret moti i ngrysur. Shiu i imët vazhdon të bjerë. Veturën ma kanë marrë shërbimi i ndëshkimeve për parkime të ndaluara. Si të shkoj ta marr, kur gjoba është më e lartë se vlera e makinës?!

E majshin me shnet makinën. E, shnoshë kamt e mia!

Vendi im, o vendi im!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button