Prokuroria Speciale e vetmuar në luftën për mbrojtje më të mirë të dëshmitarëve

Ndonëse që para disa muajsh Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Kuvendi ndryshime të Ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve, partitë deri sot nuk kanë interes të madh për ta votuar iniciativën. Në LSDM thonë që, edhe nëse ata e ngritin procedurën, asgjë nuk mund të arrijnë pa votat e BDI-së dhe PDSh-së.

Analiza në gjuhën maqedonase gjendet në këtë link.

Bllokadë e re për Prokurorinë Speciale. PPS-ja që para disa muajsh parashtroi në Kuvend Iniciativë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve, por deri sot nga institucioni ligjvënës s’ka fare shenja se kjo iniciativë do të lëvizë nga pika e vdekur.

Në kohën kur publiku ishte i preokupuar me faljet e Ivanovit, protestat e Revolucionit të Larmishëm dhe spekulimet gjithnjë e më të fuqishme se katër partitë politike kryesore sërish do të ulen në tryezën e negociatave, duket sikur iniciativa për këtë ligj është lënë në harresëm, shkruan analiza e Portalb.mk dhe NovaTv.mk.

PPS-ja kërkoi rregullimin e kompetencave të saj në procedurën e mbrojtjes së dëshmitarëve për të eliminuar mundësinë e vendosjes së pengesave të shumta gjatë punës.

Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë

Sipas koordinatorit të grupit parlamentar të LSDM-së, Goran Sugarevski, procedura për ndryshime të këtij ligji ka arritur “askund”.

„LSDM-ja mund të ngritë iniciativë, por vetëm me votat tona ajo menjëherë do të rrëzohet. Për mbështetje nevojitet secila votë, të gjitha votat bashkë, edhe të BDI-së edhe të PDSh-së. LSDM-ja kot do ta ngritë iniciativën nëse në fund nuk miratohen ndryshimet e nevojshme”, thotë Sugarevski.

Ndërsa nga BDI thonë se iniciativa për ndryshim të ligjit ende nuk iu është dërguar deputetëve si material zyrtar.

„Brenda një periudhe prej tre, katër ditësh nga dita kur propozim ligji parashtrohet në parlament – nëse ka nevojë për intervenime në tekst, për shkak se parlamenti mund ta kthejë propozimin për ndryshime eventuale, e pas kësaj propozuesi e parashtron versionin përfundimtar në parlament. Deri sot nuk e kemi si material”, thotë Talat Xhaferi nga BDI.

Pyetjes sonë vallë BDI do ta mbështetë propozimin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve, Xhaferi thotë se së pari duhet ta shohin tekstin e ligjit e pastaj do të prononcohen.

“Ne e mbështesim PPS-në, por ndryshimi i ligjit është çështje tjetër, së pari duhet ta shohim propozimin”, thotë Xhaferi.

VMRO-DPMNE dhe PDSh nuk ishin në dispozicion për koment nëse do t’i mbështesin ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Dëshmitarët e mbrojtur potencialë kanë frikë

Nga Prokuroria Speciale Publike që para disa muajsh u ankuan se ballafaqohen me probleme për t’iu përgjigjur kërkesave të dëshmitarëve të mbrojtur të cilët paraqiten për të dhënë dëshmi në lëndët që i ndërmerr ky institucion,  i cili duhet të sqarojë dyshimet, për vepra penale, të cilat dolën nga publikimi i bisedave të përgjuara në mënyrë të paligjshme.

Ndryshimet e Ligjit për dëshmitarët e mbrojtur, të cilat ata i kërkojnë, duhet t’u sigurojnë dhe garantojnë mbrojtje atyre të cilët duan të bashkëpunojnë me këtë institucion.

Me këto ndryshime PPS-ja do të kërkojë që t’i jepen kompetencat për përcaktim të statusit të dëshmitar të mbrojtur për lëndët të cilat i udhëheq kjo prokurori.

deshmitar i mbrojtur fshehur maskeSipas ligjit ekzistues, vendimin për dhënie të statusit dëshmitar i mbrojtur e sjell Këshilli për mbrojtje të dëshmitarëve. Siç është paraparë në nenin 6 të këtij ligji Këshilli përbëhet prej pesë anëtarëve – përfaqësues i Gjykatës Supreme nga radha e gjykatësve, përfaqësues i Prokurorisë publike nga radha e zëvendësve të prokurorëve publikë, Drejtori i Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve në Ministrinë e drejtësisë, përfaqësues i MPB-së dhe udhëheqës i Seksionit në MPB.

Iniciativa e Prokurorisë Speciale Publike për ndryshime të ligjit ka për qëllim t’i plotësojë kërkesat e atyre të cilët duan të jenë dëshmitarë të mbrojtur për të pasur garanci më të mëdha për mbrojtjen e identitetit të tyre.

Ata para disa muajsh deklaruan se frika e dëshmitarëve të mbrojtur potencialë rrjedh nga afërsia dhe lidhshmëria e individëve në institucione, përfaqësuesit e të cilëve janë pjesë e Këshillit për mbrojtje të dëshmitarëve me strukturat politike, të cilët në përputhje me mandatin e PPS-së janë përfshirë në hetimin që është duke e realizuar ky institucion.

Ata gjatë hartimit të tekstit për ndryshime të ligjit janë udhëhequr nga përvoja e më shumë shteteve evropiane si psh. Italia, ku prokuroria lufton me mafien, ka kompetenca të veçanta për përcaktim të statusit dëshmitar i mbrojtur në lëndët që udhëhiqen kundër personave të dyshuar për pjesëmarrje ose bashkëpunim me mafien.

Përndryshe sipas nenit 26 nga ligji, masa për mbrojtje të dëshmitarit janë: ruajtja e fshehtësisë së identitetit; sigurim i mbrojtjes personale; ndryshim i vendit të banimit, gjegjësisht të vendqëndrimit dhe ndryshim të identitetit.

Kërpaç kishte kërkuar të jetë dëshmitar i mbrojtur i PPS-së

A do të kishte mundur, po të ishin miratuar ndryshimet e ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve, PPS-ja të ndikonte në mbrojtjen eventuale të Kosta Kërpaç, për të cilin PPS-ja në fillim të muajit në konferencë për shtyp zbuloi se kishte kërkuar të jetë dëshmitar i mbrojtur i këtij institucioni. Përgjigjen në këtë pyetje opinioni publik ndoshta nuk do ta mësojë kurrë.

Kërpaç të cilin policia e gjeti të vdekur në banesën e tij u gjet në listën e personave të falur nga Ivanovi dhe lidhet me bombën nr 15, gjegjësisht me furnizimin dhe ryshfetin për pajisjen izraelite për përgjim.

 

Nga PPS-ja deklaruan se Kërpaç s’ka qenë fare i dyshuar në ndonjë lëndë, por se ishte paraqitur si dëshmitar, prandaj nuk është e qartë përse Ivanovi e kishte falur.

Zëdhënësja e PPS-së, Lençe Ristovska para do kohe informoi se ai me deklaratë kishte treguar se kishte pranuar kërcënime, por ajo nuk saktësoi se çfarë lloj kërcënimesh ishin dhe prej kujt, për të mos penguar hetimin që për vdekjen e tij që e udhëheq Prokuroria themelore.

Kjo storje është realizuar me anë të bashkëpunimit ndërmjet NOVA TV dhe Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button