“Unë kam një ëndërr”- Ky është fjalimi më frymëzues i historisë

Në Uashington para një turme prej 250 mijë demonstruesish, të bardhë dhe me ngjyrë, aktivisti i të drejtave civile deklaroi: “Unë kam një ëndërr se katër fëmijët e mi do të jetojnë një ditë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.”

Martin Luter King mbajti një fjalim që bëri jehonë në të gjithë Amerikën dhe më gjerë. Por çfarë e bëri fjalimin e Luter Kingut kaq të fuqishëm, dhe pse ne akoma vazhdojmë ta përmendim?

Në vitin 1963 afrikano-amerikanët ishin mobilizuar në përpjekje për të kapërcyer diskrimimin racor që kufizonte votimin e zezakëve në pjesë të Shteteve të Bashkuara, bllokonte qasjen e tyre në vende të mira pune dhe i kishte zhytur në varfëri.

Martin Luter King e mbajti fjalimin para një turme prej më tepër se 250 mijë njerëzve, që tregoi rritjen e peshës politike të lëvizjes paqësore që gradualisht solli si rezultat ligje të reja për mbrojtjen e të drejtave civile të afrikano-amerikanëve dhe grupeve të tjera.

Shumë historianë janë të një mendimi, se marshimi në fakt ishte një deklaratë e fuqishme, se diskriminimi racial duhet të marrë fund.

“Unë kam një ëndërr, që të gjithë njerëzit të jenë të barabartë.”

Kingu e shfrytëzoi mitingun për të shprehur atë që do të bëhej fjalimi i tij më i famshëm.

Momentet më mbresëlënëse të fjalimit ishin kur King foli për aspiratat e tij personale për vendin.

“Unë kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi do të jetojnë një ditë në një vend, ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre. Sot unë kam një ëndërr.”

***
“Unë kam një ëndërr”

Mbajtur më 28 gusht, 1963

Martin Luther King Jr.*

i-have-a-dream

Njëqind vjet më parë, një amerikan i madh, nën hijen e të cilit qëndrojmë sot, nënshkroi Shpalljen e Emancipimit. Ky dekret i momentit erdhi si drita e një feneri të madh për miliona skllevër negro, të cilët ishin përcëlluar në flakët e padrejtësisë përvëluese. Erdhi si një agim në fund të një nate të gjatë të robërimit.

Por një qind vite më vonë, negrot ende nuk janë të lirë. Një qind vite më vonë, jeta e një zezaku është ende e sakatuar nga prangat e izolimit dhe zinxhirët e diskriminimit. Një qind vite më vonë, negrot jetojnë në një ishull varfërie në mes të një oqeani të gjerë me prosperitet material. Një qind vite më vonë, negrot ende brengosen në qoshe të shoqërisë amerikane dhe e ndjejnë veten në ekzil në tokën e tyre. Prandaj ne kemi ardhur këtu të dramatizojmë një kusht të turpshëm.

Në një farë kuptimi, ne kemi ardhur në kryeqytetin e kombit tonë për të marrë një çek. Kur arkitektët e republikës sonë shkruan fjalët e mrekullueshme të Kushtetutës dhe Shpalljes së Pavarësisë, ata po nënshkruanin një shënim premtues, sipas së cilit, çdo amerikan duhet të ishte trashëgimtar. Ky shënim ishte një premtim se të gjithë njerëzit, po, njerëz të zinj dhe të bardhë, do t’i garantoheshin të drejtat e patjetërsueshme të jetës, liria dhe kërkimi i lumturisë. Është fare e qartë sot se Amerika nuk i ka plotësuar zotimet e premtuara, për sa i përket qytetarëve me ngjyrë. Në vend që të nderojnë këtë detyrim të shenjtë, Amerika u ka dhënë popullit zezak një çek të keq, një çek në të cilin shënohen “fonde të pamjaftueshme”.

Por ne refuzojmë të besojmë se banka e drejtësisë ka falimentuar. Ne refuzojmë të besojmë se nuk ka fonde të mjaftueshme në kupën e madhe të mundësive të këtij kombi. Prandaj ne kemi ardhur ta marrim këtë çek, një çek që do të na japë mbi kërkesën e pasurisë, lirinë dhe drejtësinë.

Tani është koha t’i bëjmë të vërteta premtimet e demokracisë. Tani është koha ta bëjmë drejtësinë një realitet për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Do të ishte fatale sikur ky komb të tejkalonte urgjencën e momentit. Njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e treshi nuk është fundi, por fillimi. Vorbulla e revoltës do të vazhdojë të tundë themelin e kombit tonë deri në ditën e shndritshme që drejtësia do të lindë.

Duhet t’i them diçka atyre që qëndrojnë në pragun e ngrohtë, që i drejton në pallatin e drejtësisë. Në procesin për të fituar vendin tonë të drejtë, ne nuk duhet të ndihemi fajtorë për veprimet tona të gabuara. Le të mos kërkojmë të kënaqim etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e zemërimit dhe urrejtjes. Nuk duhet ta ngrijmë përpjekjen tonë në sferën e lartë të dinjitetit dhe disiplinës. Nuk duhet të lejojmë që protestat tona krijuese të degjenerojnë në dhunë fizike. Duhet të ngrihemi përsëri dhe përsëri në lartësinë madhore për të bashkuar forcën fizike me forcën shpirtërore.

Jam i vetëdijshëm se disa prej jush kanë kaluar prova dhe vuajtje të mëdha. Disa prej jush vijnë direkt nga qelitë e burgjeve. Disa prej jush vijnë nga zona ku kërkimi për liri ju ka lënë të dërrmuar nga stuhia e persekutimeve dhe është tronditur nga era e brutalitetit të policisë. Ne jemi veteranët e vuajtjes krijuese. Vazhdoni të punoni me besimin se vuajtjet e pamerituara janë shpenguese. Shkoni në Misisipi, shkoni në Alabama, kthehuni në Karolinën e Jugut, shkoni në Xheorxhia, kthehuni në Luiziana, shkoni në lagjet e varfra dhe getot e qyteteve veriore, duke ditur se në një farë mënyre situata mund dhe do të ndryshojë. Le të mos zhytemi në lëndinën e dëshpërimit, ju them, miqtë e mi. Edhe pse po përballemi me vështirësitë e të sotmes dhe të nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane.

Unë kam një ëndërr se një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: Ne mendojmë se këto të vërteta janë të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.

Kam një ëndërr se një ditë në kodrat e kuqe të Xheorxhias yjet e ish-skllevërve dhe bijve të të zotëve të ish-skllevërve do të ulen krah për krah në tavolinën e vëllazërisë.

Kam një ëndërr se një ditë, madje dhe në shtetin e Misisipit, një shtet i djersitur me nxehtësinë e padrejtësisë, do të djersisë nxehtësinë e shtypjes, do të transformohet në një oas lirie dhe drejtësie.

Kam një ëndërr se katër fëmijët e mi një ditë do të jetojnë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga përmbajtja e karakterit. Sot kam një ëndërr!

Kam një ëndërr se poshtë në Alabama, ku sundon racizmi i ligë, ku nga buzët e guvernatorit dalin fjalë pa kuptim, djem dhe vajza të vogla me ngjyrë, do të mund të bashkojnë duart me djem dhe vajza të vogla të bardha, si motra dhe vëllezër. Sot kam një ëndërr!

Kam një ëndërr se një ditë çdo luginë do të lartësohet dhe çdo kodër dhe mal do të ulet, vendet e ashpra do të sheshohen dhe vendet e lakuara do të bëhen të drejta, dhe lavdia e Perëndisë do të zbulohet dhe të gjithë do ta shohin së bashku.

Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi me të cilin kthehemi në Jug. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta kthejmë malin e dëshpërimit në një gur shprese. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta transformojmë disharmoninë e kombit tonë në një simfoni të bukur të vëllazërisë. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje të punojmë së bashku, për të luftuar së bashku, për të mbrojtur lirinë së bashku, me dijen se një ditë do të jemi të lirë. Dhe kjo do të jetë dita kur fëmijët e Perëndisë të jenë në gjendje të këndojnë së bashku me një kuptim të ri “Vendi im është toka e ëmbël e lirisë. Toka ku stërgjyshërit kanë vdekur, toka e krenarisë së pilgrimëve, nga çdo majë mali le të këndojë liria”. Dhe nëse Amerika do të bëhet një komb i madh, kjo duhet të bëhet e vërtetë.

Kështu lëreni lirinë të kumbojë nga majat e kodrave të Nju Hemshajërit.

Lëreni lirinë të kumbojë nga malet e gjera të Nju Jorkut.

Lëreni lirinë të kumbojë nga lartësitë e Pensilvanisë.

Lëreni lirinë të kumbojë nga shkëmbinjtë me dëborë të Kolorados.

Lëreni lirinë të kumbojë nga pjerrësirat e Kalifornisë.

Por jo vetëm kaq. Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i gurit të Xheorxhisë.

Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i Tenesit.

Lëreni lirinë të kumbojë nga çdo kodër dhe pirg dheu i Misisipit, nga çdo krah mali, lëreni lirinë të kumbasë!

Dhe kur kjo të ndodhë, kur ta lejojmë lirinë të kumbojë, kur ta lëmë të kumbojë nga çdo fshat dhe çdo katundth, nga çdo shtet dhe çdo qytet, do të jemi në gjendje të përshpejtojmë ditën kur fëmijët e Perëndisë, të bardhët dhe të zinjtë, hebrenj dhe paganë, protestantë dhe katolikë, do të bashkojnë duart dhe të këndojnë fjalët e ritmit shpirtëror të negrove “Më në fund të lirë, më në fund të lirë. Lavdi Zotit të Plotfuqishëm, jemi më në fund të lirë”.

*Simbol i lëvizjes së të drejtave të njeriut dhe vetë Amerikës. Shpërblehet me çmimin “Nobel” më 14 tetor, 1964. U vra më 4 prill, 1968.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button