Vetëvendosje: Nuk lejojmë që “Zajednica” dhe Demarkacioni të kalojnë

Në seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës, pas tre muajve bojkot, sot deputetët e partisë më të madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje (VV), u rikthyen në punimet e Kuvendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare, në rendin e ditës janë 15 pika, mes të cilash janë shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja, shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve rajonale, shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore.

Para fillimit të seancës, deputetët e Kuvendit të Kosovë u janë nënshtruar kontrolleve në hollin e Kuvendit, ku deputetët e opozitës, që përfshijnë edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partinë Nisma, sërish nuk marrin pjesë në seancë.

Seanca ka filluar me pikën e parë të rendit të ditës, ku janë bërë deklarimet jashtë rendit të ditë, ku në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes Visar Ymeri, në fjalimin e tij theksoi se do të vazhdojnë të kundërshtojnë fuqishëm ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, por edhe me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ymeri, gjithashtu kritikoi krerët e vendit, duke shprehur se Kosova është shndërruar në plaçkë të politikanëve dhe theksoi se korrupsioni duhet të luftohet nga koka, e jo nga bishti.

“Në njërën anë ky regjim koncesionarësh i krijon Zajednicë Serbisë, i fal toka Malit të Zi, ndërsa në anën tjetër pjesën e mbetur e ndajnë mes vete. Kjo është e vërteta e këtij vendi – i cili do të duhej të ishte Republikë e qytetarëve, por u shndërrua në plaçkë të pushtetarëve. Tash, 17 vite pas, filluan aksionet e policisë. Kemi parë një sërë arrestimesh, bastisjesh e çlirimesh të pronave të uzurpuara. Këto prona të uzurpuara të stërshitura janë hajni e kulluar e pasurisë së popullit të Kosovës”, u shpreh lideri i Vetëvendosjes, Ymeri.

Ndërkohë, Glauk Konjufca, deputeti i Vetëvendosjes tha se në Kuvend janë kthyer dhe do të marrin pjesë derisa zhvillohen të gjitha pikat tjera pa Demarkacion me Malin e Zi dhe “Zajednicën”. Konjufca shtoi se Vetëvendosja në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që marrëveshja për Demarkacionin dhe “Zajednicën” të kalojnë në Kuvend.

Skender Hyseni, ministri i Punëve të Brendshme, në kohën për pyetje parlamentare, u shpreh se po bëhet një vit që ka hyrë në fuqi ligji që ndalon pjesëmarrjen në luftërat jashtë vendit dhe se brenda kësaj periudhe janë ngritur 33 kallëzime penale.

“Mund të themi me bindje të thellë se ligji ka prodhuar konsekuenca shumë pozitive sepse po e përmbyllim gati muajin e dhjetë që nuk është rezistuar asnjë rast i shkuarjes në konfliktet e huaja nga Republika e Kosovës. Duhet përjashtuar kështu dy tentime në muajin dhjetor dhe nëntor, të cilat tentime janë parandaluar në mënyrë shumë të suksesshme nga policia e Kosovës”, u shpreh Hyseni.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 82 vota pro dhe asnjë kundër, kanë miratuar projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve rajonale.

Deputetët tani po shqyrtojnë projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button