Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Kur dy ditë para koncertit te Orkestres Kamertale te te Rinjeve që u mbajtë më 5 qershor, më telefonoi Agona, dirigjentja e kësaj orkestre, që të më ftojë dhe të më kërkojë të shkruaj një recenzion mbi koncertin, e ndjeva që diçka e mirë po përgaditet. E mendova, jo vetëm që udhëheqësia e kësaj orkestre ka menduar për programën artistike të koncertit dhe për detaje tjera, por ata kanë menduar edhe për kritikën mbi atë koncert.

Vepra e parë që e bëri hapjen e koncertit ishte ajo që zakonisht luhet në koncertet e Ditës së Dashurisë, me temën melodike të së cilës ajo mbetet ndër veprat më tërheqëse të historisë së muzikës. Bëhet fjalë për Intermezzon e operës “Kavaleria Rustikana” nga kompozitori Italian Maskanji. Për arsye të qetësisë dhe ndjeshmërisë të cilën e reflekton kjo vepër, sipas mendimit tim nuk ishte edhe aq e përshtatshme për të qenë si vepër e parë që bën hapjen e një koncerti. E dyta, e përshëndesim guximin e të rinjëve për ta luajtur këtë vepër që ka linja melodike që lirshëm mund t’i këndojë edhe zëri njerëzor. Mirë, po truku i veprave instrumentale me karakter vokal është në atë që shumë lehtë vepra mund të kalojë në kiç nëse karakteri i saj nuk shprehet në mënyrën që duhet.

Orkestra

Vepra tjetër, Koncerti për Oboa dhe Orkestër nga kompozitori klasik Jozef Hajdn, me karakterin pompoz të saj, mund të ishte vepër që më fuqishëm do ta kishte dhënë impulsin e fillimit të koncertit nëse do luhej si vepër e parë. Gjithësesi, reflektimin e stilit klasik, me qartësinë, elegancën dhe pastërtinë e linjave melodike, dirigjentja e kësaj orkestre, Agona Çupi, arriti me sukses që ta nxjerrë nga orkestra e saj. Solisti nga ana tjetër, oboisti që premton, Vullnet Neziri, me një ekspresivitet të shprehur arriti t’i realizojë frazat e qeta dhe melodioze në të tri kohët e koncertit.

Konçertinoja për klarinet dhe orkestër nga kompozitori gjerman Karl Maria von Veber, si solist e kishte klarinetistin e sapo diplomuar Driton Beqiri. Kjo vepër e njohur ka disa melodi tërheqëse, të cilat i shfaqin mirë regjistrat dhe karakteristikat e instrumentit, duke lejuar në këtë mënyrë të shkëlqejnë harmonia dhe ngjyrat tingëllimore të klarinetës. Gjithë këto, ne si publik arritëm t’i ndjejmë për shkak të interpretimit virtuoz, të saktë dhe temperament të vet solistit, të shoqëruar nga interpretimi po ashtu i shkëlqyer i orkestrës.

Vepra e parafundit, Koncerti për Gitarë dhe Orkestër, nga kompozitori Italian Mario Castelnuevo-Tedesko u luajt vetëm me kohën e dytë dhe të tretë. Edhe pse ky kompozitor ka qenë mjaft i vlerësuar në kohën kur ka jetuar, muzikën e tij nuk mund ta hasim shpesh në repertore koncertale (jo vetëm tek ne, por edhe jashtë). Koha e dytë e këtij koncerti është e mbushur përplot me dritë, me melodi të bazuara në këngë popullore italiane. Solisti, gitaristi Jetmir Mehmedi, arriti të krijojë variacione të shumta sonoristike nga instrumenti i tij. Në këtë vepër, kompozitori i jep solistit mundësi të shumta shprehëse në gjithë veprën dhe Mehmedi arriti që t’i realizojë pjesën më të madhe të tyre. Gjithashtu, publiku u kënaq nga një muzikë që ishte shumë më ndryshe sesa veprat tjera të këtij koncerti.

Vepra që e mbylli koncertin, Koha e Parë e Simfonisë nr.25, g-mol, nga klasiku Wolfgang Amadeus Mozart, la përshtypje mjaft të mirë në publik. Instrumentistët e rinjë këtu na treguan sa janë të aftë jo vetëm për zgjuarësi dhe finesë, por edhe për shprehje të fuqishme me instrumentet e tyre. Koncert mjeshtri, studenti I violinës Arbër Tahiri si duket jo më kot e kishte atë titull. Ai rrezatonte aftësi, intelegjencë dhe teknikë të saktë në lojën në instrument. Në këtë vepër u shpreh një freski dhe vitalitet tek orkestra, e cila ishte mjaft mirë e balansuar nga dirigjentja e saj. Instrumentistët ishin të gjallëruar dhe në karakter. Kjo orkestër, stilin klasik të Mozartit e përcolli me një elegancë gati në të gjitha frazat.
Koncerti i “Orkestrës Kamertale të të Rinjëve me Solistë” me dirigjent Agona Çupin, ishte mjaft i këndshëm dhe me një laramani në përzgjedhjen e veprave. Gjithashtu, është për tu përshëndetur edhe iniciativa mjaft pozitive e kësaj orkestre, për t’i hedhur hapat e mirëfilltë drejt profesionalizmit, iniciativë që padyshim do të lërë shenja në krijimin e historisë së muzikës profesioniste për shqiptarët e Maqedonisë.

Shkruar nga Lejla Halimi Lumani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button