Mlladiqi nuk i bindet më Karagjiqit

Ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës Ratko Mlladiq refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve rreth luftës, gjatë gjykimit të Radovan Karaxhiqit, duke e quajtur Tribunalin e Hagës “gjykatë e djallit”.

Të martën Mlladiqi ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të ish-liderit të tij politik Karaxhiq, pavarësisht urdhrit të gjykatës ndërkombëtare për t’u paraqitur si dëshmitar i mbrojtjes, duke u ankuar për shëndet jo të mirë dhe frikë se do ta dëmtonte mbrojtjen e vet për krime lufte në Tribunalin e Hagës.

Pasi e kishte dhënë betimin dhe kishte kërkuar një pauzë me arsyetim se i kishte harruar dhëmbët artificialë, Mlladiqi u përgjigj në hollësi vetëm në pyetjen e parë që i ishte bërë nga Karaxhiqi, rreth historikut të tij personal dhe ushtarak.

 “Unë jam 71 vjeçar dhe kam pasur shumë pozita ushtarake…Unë do të përgjigjem vetëm në këtë pyetje. Refuzoj të përgjigjem në pyetjet e tjera për shkak të shëndetit tim jo të mirë dhe për shkak se kam të drejtë si i pandehur”, u përgjigj Mlladiqi.

Karaxhiqi vazhdoi me pyetje ndaj Mlladiqit. E pyeti atë nëse e kishte informuar se pengjet e Srebrenicës do të vriteshin, ose ishin vrarë dhe nëse ai e kishte ditur se qytetarët e Sarajevës i ishin nënshtruar një fushate të snajperëve dhe të granatimeve.

Ai gjithashtu e kishte pyetur rreth arsyeve për sulmet në Sarajevë, nëse ato arsye i ishin thënë atij dhe nëse Karaxhiqi dhe Mlladiqi kishin bërë ndonjë marrëveshje për t’i dëbuar boshnjakët dhe kroatët prej territoreve të kontrolluara nga forcat serbe.

Por Mlladiqi vazhdimisht ishte përgjigjur se ai nuk mund të jepte përgjigje për shkak të shëndetit të tij jo të mirë dhe mbrojtjes së tij në gjykimin e vet.

Mlladiqi e kishte përgatitur një dokument shtatë faqesh të cilin ai dëshiroi ta lexonte në gjykatore, por gjyqtarët e Tribunalit të Hagës ai kishin refuzuar mundësinë.

Ish-gjenerali tha se Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi ishte “gjykatë e djallit”, “gjykatë e NATO-s” dhe gjykatë e themeluar vetëm për t’i ndjekur penalisht serbët.

Të martën ishte hera e parë që Karaxhiqi dhe Mlladiqi u shfaqën së bashku në gjykatore në Hagë.

Ata janë në gjykim, në raste të ndryshme për gjenocid në Srebrenicë dhe në shtatë komuna të tjera, për persekutim të popullatës boshnjake dhe kroate nga e tërë Bosnja dhe Hercegovina, për terror kundër qytetarëve të Sarajevës dhe për marrjen peng të paqeruajtëseve të OKB-së.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Tribunali e kishte lëshuar një urdhër ku e kishte obliguar Mlladiqin të dëshmonte. Mlladiqi më parë e kishte refuzuar ftesën e Karaxhiqit për një gjë të tillë.

Por avokati i Mlladiqit, Branko Lukiq, prapë mëngjesin e së martës i tha Tribunalit se klienti i tij nuk kishte mundësi të dëshmonte për arsye shëndetësore.

Megjithatë, kryetari i trupit gjykues O-Gon Kwon tha se gjykata nuk ishte e bindur se gjendja shëndetësore e Mlladiqit ishte aq e dobët sa për t’ia pamundësuar paraqitjen. 

Lajme të ngjashme

Back to top button